2011-09-21 15:36:14

Nesër Papa Benedikti XVI shkon në Gjermani. Intervistë me nuncin në Berlin, imzot Perisé


Gjermania përgatitet të presë Benediktin XVI, i cili nesër do të nisë udhëtimin e tij të 21-të ndërkombëtar, që deri të dielën, do ta çojë në Berlin, në Erfurt e në Frajburg. Është hera e tretë e Papës në atdheun e vet. Objektivi i Atit të Shenjtë sintetizohet me moton e zgjedhur për këtë rast: “Ku është Zoti, aty është e ardhmja”.....RealAudioMP3

Një paralajmërim për të gjitha shoqëritë post-moderne, për të nënvizuar se pa vlerat e fesë e pa shpresën, që rrjedh prej saj, nuk ka përgjigje për shqetësimet e së ardhmes, duke filluar nga ambienti, konfliktet e ekonomia botërore. Mediat gjermane e kanë shtuar informacionin mbi vizitën e Papës, që për të gjithë, do të jetë një nga më të rëndësishmet e papnisë së tij, si përsa u përket takimeve, ashtu edhe për kuptimin që merr në këtë periudhë të vështirë për vendin. Edhe Kisha Katolike gjermane e pranon se shoqëria është gjithnjë e më e shekullarizuar e besimtarët largohen.

Ndër ngjarjet, që priten me interes të jashtëzakonshëm, është fjalimi që Ati i Shenjtë do të mbajë nesër para parlamentarëve gjermanë, për temat që Papa do të trajtojë, por edhe për polemikat e shkaktuara nga disa deputetë të së majtës, të cilët kanë deklaruar se nuk do të jenë të pranishëm në Bundestag. Etapë tjetër e udhëtimit të Benediktit XVI është Erfurti, ku Papa do të ketë një takim ekumenik e do të vizitojë shenjtëroren mariane të Ecelsbahut, vend i persekutimit të të krishterëve gjatë komunizmit dhe, etapa e fundit, Frajburgu, zonë thellësisht katolike.

Mbi domethënien e kësaj vizite të dëgjojmë Nuncin Apostolik në Berlin, imzot Zhan-Klod Perisé:

Domethënia e vizitës është krejtësisht e përfshirë në moton e vetë udhëtimit, marrë nga fjala e Papës Benedikti XVI në Mariacel, para katër vjetësh: “Ku është Zoti, aty është e ardhmja”. Mendoj se shoqëria jonë ka nevojë për shpresë e mendoj se në të gjitha ndërhyrjet e tij, Papa do të na përçojë këtë këndvështrim shprese për të ardhmen, përmes vlerave të krishtera.

Si e gjen Papa Gjermaninë?

Papa gjen një Gjermani të ngjashme me shoqëritë perëndimore, ku feja nuk jetohet më aq shumë edhe brenda vetë Kishës Katolike. Praktikuesit e fesë, të paktën ata, që shkojnë në Meshë të dielën, arrijnë në pak më tepër se 15%, por, pavarësisht nga kjo, njerëzit e quajnë akoma veten anëtarë të Kishës. Një e treta e shpall veten katolike, një e treta evangjelike dhe një e treta thotë se nuk ka asnjë lloj përkatësie fetare. Por, unë vërej se edhe ata, që nuk janë dakord me Kishën, janë të interesuar për mesazhin e saj.

Cila është gjendja e Kishës Katolike? Dikush është i shqetësuar për të…

Shqetësim, sepse në shoqërinë e lirë të sotme, secili shpreh mendimin e vet, e kjo nuk më çudit. Por është e nevojshme të jemi të vetëdijshëm për thesarin, që ka brenda magjisteri i Kishës, i pasuruar në shekuj, i cili u ka dhënë jetë bashkësive tona. Papa dhe ipeshkvijtë përpiqen ta bëjnë më të gjallë për shoqërinë e sotme. Duhet të dëgjojmë: për mua, kjo është e rëndësishme. Pastaj, duhet të përgjigjemi në mënyrë që gjuha jonë të kuptohet nga njerëzit. E besoj se Papa është mjeshtër për këtë.

Si janë marrëdhëniet me luteranët? Edhe etapa e Papës në Erfurt, në kuvendin ku jetoi Luteri, është e rëndësishme…

Ashtu është. Për mua, vetëm fakti që Papa vjen të takohet me vëllezërit evangjelikë në vendin ku Luteri qe murg – e ku la mënjanë mësimet e Kishës Katolike për një vizion personal – është vërtet me rëndësi. Papa dëshiron të japë këtë shembull, në të cilin përfshihet jo vetëm dialogu me përfaqësuesit e Kishës Evangjelike e me grupe të tjera të Reformës, por edhe një çast lutjeje ekumenike. Kjo i përgjigjet Shkrimit Shenjt, fjalëve të Krishtit: “Aty ku dy o tre grumbullohen në emrin tim, aty jam unë”. Besoj se vërtet Krishti është i pranishëm në këto takime ekumenike. Ky gjest ka një rezonancë, që i kalon muret e Kuvendit të Erfurtit e kufijtë e Gjermanisë.

Disa përfaqësues politikë kanë lajmëruar se do të ketë protesta për fjalimin e Papës në parlamentin federal. Të kemi parasysh se është hera e tretë në histori, që një Papë flet zyrtarisht në selinë e një parlamenti, aty ku deputetët bëjnë debatet e tyre politike. Para Benediktit XVI, ka qenë Papa Gjon Pali II, që për dy herë ka folur në parlamentin polak dhe në atë italian…

Kjo lloj sjelljeje, sipas meje, do të thotë se nuk e kanë idenë se ç’kuptim ka një vizitë shtetërore e ç’përfaqëson Papa. Nëse disa parlamentarë nuk e kuptojnë, do të thotë se nuk janë të mirëinformuar. Pastaj, shpresoj që të protestojnë brenda kufijve të korrektësisë, duke pasur parasysh se ftesa është bërë nga vetë parlamenti. Në të kundërtën, do të manifestojnë intolerancën e tyre.

Cili është urimi juaj për këtë udhëtim?

Që populli gjerman dhe popujt e të gjithë botës të rifitojnë besimin në vetvete, me vetëdijen se Zoti është me ne. Është detyrë e Papës ta përçojë këtë mesazh. Ne kemi përgjegjësi për pranimin e tij me guxim e seriozitet të ripërtërirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.