Me 21 shtator kalendari përkujton shën Mateun, Ungjilltar.
Mateu e ka ndjekur Jezusin me zell dhe entuziazëm të madh. Ai, në Ungjillin e tij,
tregon vetë për thirrjen që Jezusi i bëri: “Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri
që quhej Maté, ndenjur në doganë e i tha: “Eja mbas meje!”. Ai u ngrit e shkoi pas
Tij” (Mt 9,9.) Shën Marku shton hollësinë se babai i të thirrurit quhej Alfeo,
ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la gjithçka për të ndjekur pas Jezusin, Mateu shtroi
një gosti të madhe, në të cilën morën pjesë shumë publikanë, duke ngjallur kështu
polemika të ashpra nga ana e farisenjve, të cilët u mrekulluan kur panë se Jezusi
hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët e quajnë Mateun edhe Levi, ashtu si Simoni
quhet edhe Pjetër e Sauli- Pal. Emri i parë është Levi – i dyti, Maté, përdoret pas
thirrjes nga Jezusi. Emri Maté në hebraisht do të thotë “dhuratë e Zotit”. Pas
Rrëshajëve Mateu shkroi Ungjillin në gjuhën aramaike për të krishterët e kthyer prej
hebrenjve, për t’ua plotësuar mungesën e tij, kur u nis për të predikuar Krishtin
në vise të tjera. I shkruar në gjuhën aramaike që e kuptonin pak njerëz, Ungjilli
i Mateut u bë libër për të gjithë, pasi më vonë u përkthye në gjuhën greke. Ndër
katër Ungjijtë, ky i Mateut është më i ploti dhe më mirë i sistemuar. Ungjilli i Mateut
është i përqendruar në Personin e Jezu Krishtit: Ai është Krishti - Mesia. Pra dëshmon,
mbi të gjitha, se Jezusi është Mesia që realizon premtimet e Besëlidhjes së Vjetër
dhe përmban pesë kumtime të rëndësishme të Krishtit mbi Mbretërinë e Hyjit. Mateu
ishte nga Kafarnaumi, qendër e rëndësishme, ku kalonin masa tregtarësh, nga të cilët
mblidhte taksat. E pikërisht ky njeri, kaq i lidhur me botën e parasë, në Ungjillin
e tij do të shkruante fjalët e Jezusit: “Lum të varfrit!”; “Kur jep lëmoshë, të mos
e dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni
thesare mbi tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht edhe Zotit edhe pasurisë… Kërkoni
më parë mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka për t’ju dhënë si shtesë”. Ky
është mesazhi që na sjell sot Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar, një nga hebrenjtë
që u bënë dëshmitarët e ngjalljes së Krishtit dhe i kumtuan botës se Jezusi i Nazaretit
është Mesia i premtuar nga Shkrimet e Shenjta. Ka shumë mundësi që të ketë vdekur
nga vdekje natyrore, ndonëse burime pak të besueshme flasin për martirizimin e tij.