BE: imzot Gadecki kërkon “autonomi e bashkëpunim” ndërmjet Shtetit e Kishës
Autonomia e bashkëpunimi i anasjelltë: sipas kryeipeshkvit të Poznanit të Polonisë,
imzot Stanislav Gadeckit, kjo duhet të jetë marrëdhënia ndërmjet Kishës e Shtetit.
Në homelinë e “meshës de rentrée” (meshës së rifillimit) të aktiviteteve të Bashkimit
evropian mbajtur, në kuadrin e semestrit të presidencës polake, dje në Bruksel në
katedralen e Shën Mikelit e Gudulës, imzot Gadecki tha: “Polonia ka pasur nderin të
kryesonte për gjashtë muaj Bashkimin evropian e ne e kremtojmë këtë ngjarje liturgjikisht,
këtu në Bruksel, që është edhe një rast i volitshëm për të reflektuar mbi praninë
e Kishës në realitetin e hapësirën publike”. Gjatë nënvizimit të “domosdoshmërisë
së autonomisë së Shtetit e të Kishës, të jetës publike e të jetës fetare”, kryeipeshkvi
i Poznanit – njofton agjencia Sir – pohoi se: “Sot asnjë përfaqësues i Kishës katolike
nuk kërkon e nuk dëshiron një lidhje të fortë ndërmjet fesë e politikës, sepse një
gjë e tillë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në politizimin e Kishës. Në të kundërtën,
duke shpallur autonominë, shpallet një situatë në të cilën Kisha – e liruar nga lidhjet
e rreme e të gabuara me Shtetin – mund t’i përkushtohet qëllimeve të veta. Njëri ndër
këto synime gjithsesi - sqaroi kryeipeshkvi – është realizimi i detyrave publike.
Prandaj, kur predikohet autonomia institucionale, duhet të kemi parasysh nevojën e
bashkëpunimit në shumë fusha dhe aspekte të jetës njerëzore”. Sipas imzot Gadeckit,
“Kisha duhet të impenjohet në sektorë të arsimit shkollor e të shërbimeve shoqërore
(kopshte, shkolla, spitale, klinika), pastaj duke trajtuar çështjen e sistemit të
punës e vijuar interesimin për paqen dhe zhvillimin më të drejtë e më njerëzore” të
shoqërisë. Sot, pranoi imzot Gadecki, “shumë mund të pohojnë që është më e preferueshme”
që Kisha të “mbetët në heshtje e të mos ndërhyjë në jetën publike apo në politikë”,
por, paralajmëron ai, “Kisha nuk mund të heshtë” kur “është në pyetje e në lojë vlera
e pacenueshme e dinjitetit njerëzor” e të krishterët “duhet të jenë “kripë e tokës
edhe në marrëdhëniet e tyre me jetën shoqërore”. Për kryeipeshkvin e Poznanit,
mungesa e Kishës “ jo vetëm që do ti kufizonte të drejtat e Kishës, por do të ishte
e dëmshme edhe për vet popullin e për Shtetit. Në një shoqëri pluraliste e në një
Shtet demokratik e modern, Kisha nuk do të dëshironte të trajtohej si një ‘kundërshtar
i huaj’, por si entitet i lirë në një Vend të lirë”. Të pranishëm në kremtimin
e meshës ishte edhe imzot André-Joseph Leonard, primat i Belgjikës; imzot André Dupuy,
nunc apostolik pranë BE-së; imzot Andrianus Herman van Luny, ipeshkëv i Roterdamit
e president i Komisionit të ipeshkvijve të Bashkimit evropian (Comece), dhe imzot
Piotr Mazurkiewicz, sekretar i përgjithshëm i vet organizmit ipeshkvnor evropian.