Më 20 shtator, kalendari përkujton shën Andreun Kim Taegon me shokë
Sot më 20 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Andreun Kim Taegon me 101 shokë,
martirë koreanë. Kisha koreane ka një karakteristikë ndoshta të pashembullt: u
themelua dhe u mbajt gjallë nga laikët. Feja e krishterë u duk në Kore në fillim të
viteve 1600 përmes një delegacioni që çdo vit vizitonte Pekinin në Kinë, për shkëmbime
kulturore me këtë komb, i cili vlerësohej shumë në të gjithë Lindjen e largët. Në
Kinë koreanët u njohën me fenë e krishterë. Prej andej sollën në atdhe librin “Doktrina
e vërtetë e Zotit”, shkruar nga jezuiti Atë Mateo Riçi. E një laik, Li Bieok,
mendimtar i madh, duke u frymëzuar nga libri i misionarit të famshëm jezuit, themeloi
të parën bashkësi të krishterë në Kore. Më pas pjesëmarrësit në delegacionet e përvitshme
në Kinë, sollën në Kore jo vetëm gjithë literaturën e nevojshme për bashkësinë katolike,
por edhe meshtarin e parë, don Çu-Mun–Mo, ardhja e të cilit bëri që bashkësisë t’i
shtoheshin me mijëra besimtarë. Për fat të keq edhe në Kore që në vitin 1785 shpërtheu
persekutimi, gjatë të cilit u martirizuan 10 mijë vetë, nga të cilët janë shpallur
të lum 103 në dy grupe: grupi i parë më 1925, i dyti më 1968. Pastaj të gjithë u shpallën
shenjtorë në Seul të Koresë nga Papa Gjon Pali II më 6 maj 1984, me rastin e kremtimeve
të dyqindvjetorit të ungjillëzimit të Vendit aziatik. Prej tyre, vetëm 10: 3 ipeshkvij
e 7 meshtarë, ishin të huaj; të tjerët - të gjithë koreanë, katekistë e besimtarë
laikë. Ndër ta edhe Shën Andreu Kim Taegon. Andreu Kim Taegon lindi më 1821 në
gjirin e një familjeje të krishterë koreane. I ati, për të shpëtuar nga persekutimi,
la Seulin dhe së bashku me gruan, fëmijët, nënën e vëllezërit, të gjithë të krishterë,
u fsheh në një zonë të humbur ndërmjet maleve. Me të edhe Andreu. Megjithatë djaloshi
nuk mundi të shpëtonte nga burgu. U kap dhe u flak në qeli, ku iu nënshtrua torturave
më mizore me qëllim që të mohonte Krishtin. Po ai qëndroi deri në frymën e fundit,
derisa i prenë kokën. Ishte data 16 shtator e vitit 1846. Kështu Kisha koreane merrte
pagëzimin e gjakut!