2011-09-20 09:24:35

Me 20 shtator 1685 botohet "Çeta e profetëve" e imzot Pjetër Bogdanit.


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 shtator kujtojmë botimin e veprës së ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” më datën 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, si dhe ribotimin në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe.
Vepra 'Çeta e profetëve' është vepër me përmbajtje teologjike. Kujtojmë se imzot Pjetër BOGDANI lindi më 1625 e ndërroi jetë më 1689. Konsiderohet si njëri ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë së vjetër shqiptare. Pjetër Bogdani prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog dhe filozof shqiptar nga krahina e Hasit që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.
Lindi në Gur të Hasit afër Prizreni rreth 1625, ndërsa ndërroi jetë më 1689 në Janjevë afër Prishtinës. Mësimet e para i bëri në Ciprovac të Bullgarisë . Në vitin 1674 studion filozofinë e teologjinë në kolegjin ilirik të Selisë së Shenjtë në Loreto. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë.
Më 1675 e shkruan librin “Çeta e profetëve” dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit të Propagandës së Fesë për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin, e kështu imzot Bogdani e fillon përkthimin e librit.
Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes imzot Andrea Bogdani. Imzot Pjetër Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga imzot Andreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim.
Libri “Cuneus Prophetarum” botohet në fund të vitit 1685 në Padovë te Barbarigo. Shkruan Relacionin e njohur nga Shkupi: “Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia” ( Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688).
Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare në vende të Kryeipeshkvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Vdes në fillim të dhjetorit 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.
Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër.
Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologji e në fjalorin kishtar në përgjithësi.
Vepra “Çeta e Profetëve” ka karakter origjinal, me përmbajtje teologjike, e trajton tema të rëndësishme të dogmatikës së krishterë, këndej ka karakter fetar, por duhet thënë që imzot Pjetër Bogdani nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar e nuk është përkthim i ndonjë vepre teologjike të autorëve tjerë.
Tematika e larmishme teologjike e dogmatike i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.
Autori imzot Pjetër Bogdani ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror.
Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria turke bashkatdhetarët e tij shqiptarë dhe ishte kundërshtim të thellë me pushtuesit osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, prandaj edhe punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare e shpirtëror dhe çlirimin e popullit e të vendit nga pushtuesit e huaj osman.
Vepra "Çeta e profetëve” ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.