2011-09-20 15:58:52

Gedafi: në Libi po zhvillohet një “farsë”


Ndërsa në Libi vazhdojnë luftimet për të marrë nga duart e besnikëve të Gedafit, kështjellat e tyre të fundit, koloneli del nga heshtja, ku ishte zhytur prej kohësh, me një regjistrim audio, transmetuar nga televizioni sirian “Arrai”. Në të, ai i quan “farsë” ngjarjet e fundit në Libi, duke i kërcënuar fuqitë perëndimore me kthimin e tij në pushtet, pasi sistemi politik libian është, sipas tij, i bazuar mbi pushtetin e popullit. “Mos mendoni – thotë Gedafi – se një regjim mund të përmbyset e një tjetër të imponohet me sulme ajrore e detare”.
Ndërkaq, ushtria e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit korri një fitore, pas ditësh amullie, duke marrë në dorë lokalitetin bregdetar al-Sultan, vetëm 30 kilometra larg Sirtes, vendlindjes së Muhamar Gedafit. Gjithashtu, në shkretëtirën e Cirenajkës, u kap një nga gjeneralët e raisit, ish-kreu i shërbimit sekret në rajonin e Kufrës, i akuzuar për krime kundër civilëve.
Në planin politik, vëmendja përqendrohet në Nju Jork, ku nesër do të fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë ditës, parashikohet mbledhja e të ashtuquajturve “Miq të Libisë së Re”, që s’janë tjetër, veçse vendet e ish-Grupit Ndërkombëtar të Kontaktit për Libinë. Do të dëgjohet edhe zëri i organizatës Amnesty International, e cila e ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për mospërballimin e emergjencës së refugjatëve në kufirin libian.







All the contents on this site are copyrighted ©.