2011-09-19 15:20:25

Ungjillëzimi i ri në qendër të fjalëve të Papës, i cili në Lutjen e Engjëllit të Tënzot shprehu gëzimin për udhëtimin në Gjermani e theksoi të drejtën e të gjithëve për studim


“Sot jetojmë në epokën e ungjillëzimit të ri”: kështu tha Papa, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje në Kastel Gandolfo, nga ku i ftoi njerëzit, familjet e bashkësitë të punojnë në Vreshtin e Zotit. Pasuan reflektime mbi shkollën e mbi të drejtën e të gjithë personave për studim e arsim. Fjalë gëzimi edhe për udhëtimin në Gjermani, që do të fillojë të enjten.RealAudioMP3

“Horizonte të mëdha hapen për shpalljen e Ungjillit, ndërsa rajonet me tradita të lashta të krishtera janë të thirrura të rizbulojnë bukurinë e fesë”.
Duke u nisur nga Letra e Shën Palit drejtuar Filipianëve, që liturgjia propozonte dje, Papa kujtoi se Apostulli i Popujve shkruante: “Për mua, jeta është Krishti”. E duke i ftuar të gjithë të impenjohen për ungjillëzimin e ri, Benedikti XVI nënvizoi se protagonistët e këtij misioni janë ata, që mund të thonë të njëjtën gjë:
“Persona, familje, bashkësi, që pranojnë të punojnë në vreshtën e Zotit, sipas imazhit të Ungjillit të kësaj së diele… Punëtorë të përvujtë e bujarë, që nuk kërkojnë tjetër shpërblim, përveçse pjesëmarrjes në misionin e Jezusit e të Kishës”.
Papa tregoi besimin e tij të patundur, se ashtu si në të kaluarën, Ungjilli i Krishtit do të vazhdojë ta ndryshojë e ta shndërrojë botën, pasi bashkimi me Jezusin na shtyn t’i japim kuptim të ri jetës, na jep shpresa të reja:
“Vdekja dhe ringjallja e Tij përbëjnë Lajmin e Mirë që, duke u nisur nga Jeruzalemi, është i destinuar të arrijë tek të gjithë njerëzit e popujt dhe t’i shndërrojë nga brenda të gjitha kulturat”.
Edhe shën Pali, tha Papa, kishte në vetvete tri botë: atë hebraike, atë greke e atë romake. Jo më kot, Zoti ia besoi pikërisht atij, misionin e përhapjes së Ungjillit nga Azia e Vogël në Greqi e më pas në Romë, duke hedhur kështu një urë, që do ta çonte krishterimin deri në kufijtë më të skajshëm të tokës.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë kujtoi të Lumin e ri të Shoqërisë së Meshtarëve të Shën Jozef Kotolengos, imzot Françesko Palearin, që u shpall dje i Lum në Torino të Italisë:
“Ia kushtoi jetën të varfërve dhe të sëmurëve të Shtëpisë së Vogël të Provanisë Hyjnore, por edhe mësimdhënies, duke u dalluar për butësinë e durimin e tij. Lavdi Zotit për këtë dëshmitar të ndritur të dashurisë së Tij!”.
Pastaj, përshëndetjet në gjuhë të ndryshme: në frëngjisht, një mendim i çmuar për studentët e prindërit e tyre:
“Vitet e shkollës janë shumë të rëndësishme për të zgjeruar fushat e dijes dhe për të mësuar si të jetojmë me të tjerët”.
Papa i ftoi prindërit të ndjekin me vëmendje e nga afër fëmijët, t’i dëgjojnë e të flasin me ta për problemet e përditshme, në mënyrë që t’i ndihmojnë të marrin vendime të përshtatshme për zgjidhjen e tyre. Familja e shkolla janë terreni ku formohet njerëzimi i nesërm, theksoi Benedikti XVI, duke bërë thirrje që çdo fëmijë, të mund të ketë arsimin, që i takon me të drejtë.
Në gjermanisht, një mendim për udhëtimin në Gjermani, nga 22 deri më 25 shtator:
“Pres me gëzim të takohem me shumë njerëz në atdheun tim”.
Papa i ftoi të gjithë t’i përgjigjen me bujari dashurisë së pafundme të Zotit e të bashkëpunojnë për të mirën e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.