2011-09-19 15:24:34

Kardinali Koh: Papa do të përforcojë ekumenizmin në Gjermani


Të enjten e ardhshme, më 22 shtator, siç e thamë, Papa do të shkojë në Gjermani për udhëtimin e tij të 21-të apostolik ndërkombëtar. Një vizitë 4-ditore në atdheun e Reformës Protestante. Vërtet, një nga takimet më të rëndësishme, është ai me përfaqësuesit e Kishës evangjelike gjermane në ish-kuvendin agostinian të Erfurtit, ku pati jetuar Luteri. Benedikti XVI do të shkojë në tri qytete, në Berlin, në Erfurt e në Frajburg e në secilin prej tyre, Ati i Shenjtë do të theksojë një temë të caktuar. Në Erfurt, kjo temë, s’mund të mos jetë “ekumenizmi”, siç pohon në mikrofonin tonë, kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, kardinali Kurt Koh:
Ky udhëtim në Gjermani ka një theks ekumenik, pikërisht sepse do ta çojë Papën edhe në qytetin e Erfurtit, ku Luteri jetoi si murg agostinian e ku Ati i Shenjtë do të takojë përfaqësuesit e Këshillit të Kishës Evangjelike gjermane dhe do të marrë pjesë në një kremtim liturgjik ekumenik. Duhet nënvizuar se marrëdhëniet me Kishën luterane janë të mira.
Cilat janë sfidat kryesore për dialogun?
Mendoj se sot, së bashku me të gjitha Kishat, që kanë lindur nga Reforma, është e nevojshme të diskutojmë mbi thelbin e Kishës. Në vitin 1999, në Augusta, nënshkruam së bashku Deklaratën për Doktrinën e Justifikimit. Por tani, siç shkruhet në atë Deklaratë, ka ardhur koha të merremi me çështjet ekleziologjike: cili është thelbi i Kishës, natyra e Kishës? Besoj se këto janë pikat, ku duhet përqendruar dialogu.
Çfarë frytesh pret nga ky udhëtim Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve?
Sigurisht që Ati i Shenjtë do të përforcojë ekumenizmin. Ka për zemër sidomos gjetjen e rrënjëve shpirtërore të ekumenizmit, sepse është një detyrë, që na e ka besuar Zoti, kur në lutjen meshtarake, kërkoi që të gjithë dishepujt e Tij të jenë “një gjë e vetme”. Në këtë kuptim, nuk ka alternativë ndaj ekumenizmit: është detyrë, që na ka dhënë Zoti e jam i bindur që Papa do ta nxjerrë në dukje, në plan të parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.