2011-09-17 14:01:19

Kishës Katolike i shtohen dy të Lumë të rinj


Javën e kaluar, Kishës Katolike iu shtuan dy të Lumë të rinj. Dje, u ngrit në nderimet e elterit don Françesko Paleari, meshtar i Shtëpisë së Vogël të Provanisë Hyjnore, apo “Vepra e Kotolengos” siç njihet në popull, themeluar nga shën Jozef Kotolengo (1786-1842) për të ndihmuar të varfërit, të gjymtuarit e fëmijët e për t’u dëshmuar se Zoti është i mëshirshëm. Kujtojmë se Papa Benedikti XVI i ka takuar të sëmurët e këtij instituti, më 2 maj 2010, gjatë vizitës së tij baritore në Torino.
E Lumja e dytë është motër Elena Aielo, themeluese e Kogregatës së Motrave françeskane të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht. Mesha për ngritjen e saj në nderimet e elterit u kremtua në Kozenca të Kalabrisë, rajon i Italisë për të cilin motër Aielo është e Lumja e parë e historisë.
Meqë jeta e shenjtorëve është shembull për çdo të krishterë, po ju përshkruajmë shkurtimisht jetën e këtyre dy të Lumëve të rinj.
I fundit i tetë fëmijëve, Françesko Paleari lindi më 22 tetor 1863 në Polinjano Milaneze të Italisë. Shpejt hyri në Seminarin e “Tomazinëve”, që përgatiste meshtarë për Shtëpinë e Vogël të Kotolengos, për misionet e për klerin dioqezan. Vetëm 23 vjeçar u shugurua meshtar, duke hyrë në Kongregatën e Priftërinjve të Trinisë Shenjte, themeluar nga shën Jozef Kotolengo. Qe i palodhur në plotësimin e detyrave që iu ngarkuan e u dallua për bujarinë e për butësinë me të cilën u drejtohej të sëmurëve dhe seminaristëve. Qe ati shpirtëror i këtyre të fundit për vite me radhë, derisa sëmundja e zemrës e detyroi të qëndronte në shtrat për tre vjet. U nda nga kjo jetë si shenjt, më 7 maj 1939.
Elena Aielo lindi në Montalto Ufugo të Kozencës, në vitin 1895, e katërta e 8 fëmijëve. U edukua me fe nga familja, por vetëm 11 vjeçe humbi nënën. Pas dy vjetësh, pas një sëmundjeje në trake, i premtoi Zojës së Pompeit të përqafonte jetën rregulltare. Arriti të hynte tek Murgeshat e Bamirësisë së Gjakut të Krishtit në Noçera vetëm në gusht të vitit 1920, por u detyrua të dilte për shkak të një aksidenti, për të cilin iu desh të bënte një operacion, që i la probleme në nerva, me ethe të vazhdueshme. U kthye në shtëpi në kushte shumë të këqia shëndetësore, por u shërua me ndërhyrjen e shën Ritës nga Kasha, së cilës Elena Aiello i ishte lutur për ndihmë. Pasuan vite me fenomene mistike, si vizione të Krishtit e të Zojës, derisa në vitin 1928 themeloi veprën e saj për të ndihmuar vajzat jetime. Kongregata u miratua në vitin 1949, ndërsa motër Elena Aielo, pas një jete në shërbim të të afërmit, vdiq në Romë, në vitin 1961. Motrat e saj janë të pranishme në Itali, në Zvicër, në Kanada, në Kolumbi e në Brazil.







All the contents on this site are copyrighted ©.