2011-09-17 14:01:55

Grumbullim fondesh për të luftuar varfërinë në Bririn e Afrikës


Sot, Karitasi Italian u bëri thirrje besimtarëve katolikë të japin ofertat e së dielës në çdo kishë e famulli të vendit për t’iu përgjigjur me fakte zisë së bukës, që ka përfshirë Bririn e Afrikës. Është më e tmerrshmja në 60 vjetët e fundit e në të janë përfshirë Somalia, Kenia, Gjibuti, Etiopia dhe Eritrea, me disa zona kritike edhe në Ugandë, Tanzani e në Sudanin Jugor. Qëllimi është që këto fonde të përdoren për të furnizuar zonën me ushqime, të cilat duhet të kenë vlera ushqimore shumë të larta, që t’u bëjnë ballë problemeve të të uriturve në Bririn e Afrikës. Gjithashtu, nevojitet uji i pijshëm, kontrolli mjekësor i të kequshqyerve, nisja e projekteve për zhvillimin e ringjallja e bujqësisë. Asistenca ndihmon sidomos fëmijët e gratë shtatzëna, si edhe të moshuarit, që banojnë në zona, ku shkohet me vështirësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.