2011-09-17 14:01:00

Atë Lombardi mbi udhëtimin e Papës në Gjermani: “E ardhmja dhe Zoti”


Nga data 22 deri më 25 shtator, Papa Benedikti XVI do shkojë për vizitë apostolike në Gjermani. Do të jetë një udhëtim i përqendruar mbi ungjillëzimin e ri, të cilin, jo më kot, Ati i Shenjtë dëshiron ta fillojë nga atdheu i vet, ku duket se shtohen gjithnjë e më shumë ateistët e ku njerëzit e kanë humbur besimin në të ardhmen. Komenti javor i sotëm i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi shpjegon “pse”-të e këtij vendimi të Papës. Ta dëgjojmë:
“Jetojmë në kohë të shqetësuara për të ardhmen, për atë të planetit Tokë e të jetës mbi të, për atë të ekonomisë botërore e të paqes ndërmjet popujve, për të ardhmen e Evropës dhe të kombeve që e përbëjnë, për atë të të rinjve e të fëmijëve që tani i buzëqeshin jetës. Duke shkuar në vendin e vet, në Gjermani, që shumë e shohin sidomos si lokomotivën e kontinentit të vjetër, por ku feja e krishterë duket se po shuhet me shpejtësi, Papa ka zgjedhur për udhëtimin, këtë moto: “Ku është Zoti, aty është e ardhmja”. Janë fjalët kyçe të homelisë së tij në Shenjtëroren austriake të Mariacelit, para katër vjetësh, kur e interpretoi krizën demografike në Evropë si shenjë e mungesës së besimit në të ardhmen e ku pati thënë: “Pa të ardhme do të jetë globi vetëm kur të shuhen forcat e zemrës njerëzore e të arsyes së shndritur nga zemra – vetëm kur fytyra e Zotit nuk do të shkëlqejë më mbi Tokë. Ku është Zoti, aty është e ardhmja”.
Nga dita e parë e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI na ka shpjeguar se shpallja e primatit të Zotit do të ishte përparësia e papnisë së tij. Kush është Zoti? Si ta shohim fytyrën e Tij? Ku ta takojmë e si të flasim me Të? Marrëdhëniet me Zotin, si e orientojnë jetën e çdo njeriu e përgjegjësia e tij në shoqëri, a nxit kërkimin e drejtësisë e të të drejtave?
Zoti nuk është i huaj për jetën. Nuk duhet të presim nga Papa përgjigje për çështje dytësore, por për ato më thelbësoret. Duke përshkuar një vend, ku mohimi totalitar i Zotit ka dëshmuar pasojat e tij më të skajshme, do të reflektojmë së bashku si të impenjohemi – si njerëz, si besimtarë në Hyjin, si të krishterë e si katolikë – për të ndërtuar një të ardhme të denjë për njeriun”.







All the contents on this site are copyrighted ©.