2011-09-16 17:28:12

Në Orisë të Indisë u tërhoq urdhëri për shkatërrimin e kishave


Asnjë kishë e Kandhamalit në Orisë të Indisë nuk do të shkatërrohet. Lajmin e dha përgjegjësi i zonës, Rajesh Prabhakar Patil, gjatë takimit me delegacionin e krishterë të vendit. Gjithsesi, kryeipeshkvi i qendrës shtetërore të Orisës deklaroi se garancitë verbale nuk mjaftojnë, pasi nuk i ndalin funksionarët lokalë. Në gusht, në përvjetorin e pogromit kundër të krishterëve në Kandhamal, qeveria urdhëroi shkatërrimin e pesë kishave, me pretekstin se vendet e kultit, të ndërtuara që në vitin 1942, ishin ngritur në terren shtetëror, pa autorizimet përkatëse.
Urdhëri i përgjegjësit aktual të zonës mbërrin vonë, për shembull, për famullinë e Betikolës, prej kohësh në shënjestër të fondamentalistëve hinduistë. “Ekstremistët - kujton kryeipeshkvi, imzot Barua – i ndiqnin meshtarët dhe i rrihnin kur ktheheshin nga punët e tyre baritore”. Sot, famullia nuk ekziston më. Fat më i mirë i takon kishës së Nandaxhirit, ku që nga qershori i vitit 2009, qeveria ka rivendosur aty 54 familje katolike dhe 17 pentekostale, të shpërngulura pas dhunës kundër të krishterëve në vitin 2008.







All the contents on this site are copyrighted ©.