2011-09-16 16:59:00

Atë Lombardi mbi udhëtimin e Papës në Gjermani


Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi u paraqiti sot gazetarëve programin e udhëtimit të ardhshëm apostolik të Benediktit XVI në Gjermani, nga data 22 deri më 25 shtator. Është vizita e tretë e Papës në atdheun e vet, pas asaj të gushtit 2005 për Ditën Botërore të Rinisë në Këln dhe pas asaj të shtatorit 2006 në Bavari.RealAudioMP3

Ky udhëtim i 21-të ndërkombëtar i Benediktit XVI do ta çojë Papën në tri qytete, në Berlin, në Erfurt e në Frajburg. Ndër çastet më të rëndësishme, është pa dyshim ai i fjalimit të Atit të Shenjtë para parlamentit federal në selinë e Bundestagut gjerman, takimet me përfaqësuesit e Kishës luterane, të Kishës ortodokse, të hebrenjve dhe të myslimanëve. Motoja, që Papa ka zgjedhur për këtë vizitë apostolike, është një frazë nga homelia e mbajtur në shenjtëroren austriake të Mariacelit, katër vjet më parë: “Ku është Zoti, aty është e ardhmja”. Atë Lombardi theksoi se motoja dëshiron të nënvizojë primatin e Hyjit e mbështetjen, që Ai i jep njerëzimit, në përballimin e problemeve të botës:
“Mendoj se ky është një çelës i rëndësishëm për interpretimin e këtij udhëtimi, që është shumë i pasur e shumë intensiv. Është një udhëtim, që parashikon 17-18 fjalime, prandaj, nëse nuk gabohem, pas vizitës në Tokën Shenjte, është ai me më shumë fjalime, ndër udhëtimet, që ka bërë deri tani Benedikti XVI”.
Drejtori i Sallës së Shtypit paraqiti detajet e këtyre katër ditëve të Gjermanisë, duke filluar me takimin e Papës me presidentin federal, Kristian Vulf e me kancelaren Angela Merkel. Atë Lombardi iu përgjigj edhe polemikave të ditëve të fundit mbi natyrën e vizitës së Atit të Shenjtë në parlament nga ana e disa politikanëve gjermanë, që nuk do të jenë të pranishëm gjatë fjalimit të Benediktit XVI, duke vënë në dukje se Papa është ftuar zyrtarisht nga vetë kryeparlamentari:
“Është kryetari i Bundestagut, që e ka ftuar Atin e Shenjtë të flasë. Duke qenë i ftuar, Papa shkon e mban atje fjalimin e vet, natyrisht, për ata që duan ta dëgjojnë e që janë të interesuar ta dëgjojnë fjalimin me respekt”.
Në Erfurt, kryeqyteti i Turingjisë, karakteri i vizitës do të jetë ekumenik. Papa do të takohet me përfaqësuesit e tjerë të krishterë e do të marrë pjesë në një kremtim ekumenik me rreth 300 vetë, gjatë të cilit do të lexohet një Psalm nga bibla e përkthyer nga Luteri. Pasdite, vizita në shenjtëroren mariane të Ecelsbahut, vend i persekutimeve kundër të krishterëve në kohën e komunizmit.
Etapa e fundit e udhëtimit, dioqeza e Frajburgut, në një zonë të Gjermanisë, ku katolicizmi i ka rrënjët e thella. Këtu, Benedikti XVI do të bisedojë me ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl, njërin nga protagonistët kryesorë të ribashkimit gjerman. Veçanërisht domethënës, edhe takimi me përfaqësuesit e Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, i cili është shprehje e traditës së gjatë të impenjimit të laikëve në Kishë. Në përfundim, mbrëmësorja e lutjes së Papës me të rinjtë e ardhur nga të gjitha dioqezat e Gjermanisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.