2011-09-15 14:02:22

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'Ungjilli'!


Të nderuar dëgjues, do t’ju flasim sot për ”Ungjillin” dhe kuptimin e tij të krishterë, ashtu siç përmendet në Shkrimin Shenjt.
Kur Jezusi, në sinagogën e Nazaretit, lexon pjesën e Librit të Isaisë (61,1-3) të asaj së shtune, has në një frazë, që në hebraisht përdor fjalën ”basser”, të cilën tradita e lashtë greke e përkthimit të Biblës ia pati dhënë kuptimin me fjalën ”euanghelìzo”. Shën Luka Ungjilltar përdor pikërisht këtë fjalë në tregimin e tij, në të cilin përshkruan Jezusin, që e përbuzin në Nazaret (4,18). Domethënia e kësaj fjale është ”shpallja e lajmit të mirë”, e ajo përbën origjinën e fjalës ”Ungjill”, që përmendet 76 herë në Besëlidhjen e Re, së bashku me 54 herët e foljes përkatëse.
Por, kjo fjalë njihej që në botën pagane dhe i referohej shpesh lajmit të mirë për një ngjarje, apo akt perandorak, i cili mund të sillte përfitime me karakter ekonomik, si për shembull, mospagimin e taksave. Kështu në një pllakë greke të Prienit (Azia e Vogël) në shekullin IX para Krishtit, ku shkruhet data e lindjes e perandorit August(63 p.K.), të cilit shkruesi i referohet si Zot, është e inçizuar kjo frazë: ”Data e lindjes së zotit (Augustit) qe për botën fillimi i lajmeve të mira (evanghelion)”.
Por kuptimin e krishterë të fjalës ”Ungjill” e jep natyrisht Jezusi, me frazën e Isaisë profet, të cilën e lexon dhe e zbaton për veten, siç na thotë shën Luka: ”Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve, t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit” (Lk 4,18). Krishti pra, erdhi në këtë botë për të shpëtuar më të fundmit e saj e në këtë dritë do të shihet termi ”Ungjill” në katër shkrimet, që ruajnë fjalët e veprat e Jezusit, siç na e thotë që në fillim shën Marku, i cili e nis kështu tregimin e vet: ”Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit”(1,1).
Nga kjo frazë, kuptohet qartë përmbajtja kryesore e ”lajmit të mirë” të krishterë: ai është shpallje e personit të Jezu Krishtit e të shëlbimit që na ofron, i cili s’është tjetër veçse Mbretëria e Zotit, plani hyjnor i çlirimit të njeriut, plani i së vërtetës, i drejtësisë dhe i dashurisë. Si rrjedhojë, ”Ungjilli” i vërtetë është vetë Jezusi i Nazaretit, njeri historik, por edhe Bir i Hyjit, veprat dhe fjalët e të cilit përurojnë një horizont transhendet për njerëzimin dhe zbulojnë mesazhin hyjnor për të.
Është shën Pali Apostull ai, që do ta verë më tepër në dukje e do t’i japë rëndësi fjalës ”ungjill”, të cilën e përmend 60 herë. Apostulli i Popujve flet për ”Ungjillin e Zotit”, për ”Ungjillin e Krishtit”, për ”Ungjillin e Birit të Zotit”, pasi qendra, thelbi, zemra e lajmit, që sjell krishterimi në botë, siç thotë shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve, bazohet pikërisht ”mbi Birin e Hyjit, i cili është për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar si Bir i Hyjit me të gjitha pushtetet, me anë të Shpirtit Shenjt, mbas ngjalljes prej të vdekurve, (bazohet) mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë” (1,3-4). Lajmi i mirë i krishterë pra, nuk është teori, por një ngjarje, që bashkon në vetvete hyjnoren dhe njerëzoren, historinë dhe amshimin, hapësirën dhe pafundësinë, vdekjen e ringjalljen. Nuk është propozim fetar njerëzor, por zbulesë e Hyjit, siç thotë sërish shën Pali: ”Ungjilli që ju kam predikuar nuk është vepër njerëzish, sepse atë nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti” (Gal 1,11-12).
Ja pse të krishterët i binden ”Ungjillit”, pasi ai është Fjala e Zotit, e cila nuk duhet interpretuar sipas dëshirës, siç ndodhi me korintasit (2 Kor 11,49) dhe me galatët (1,6), të kritikuar nga shën Pali Apostull. E për ta përçuar të saktë Fjalën e Hyjit duhet impenjim i jashtëzakonshëm e duhet bërë gjithçka për Ungjillin, siç pohon Apostulli i Popujve. Kjo është edhe detyra, që u ka lënë të krishterëve vetë Jezu Krishti, i cili, siç shkruhet në Ungjillin sipas Lukës, ”përshkoi qytete e fshatra, duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit” (8,1).







All the contents on this site are copyrighted ©.