2011-09-15 16:45:39

Thaçi: ka ardhur koha e kontrollit të pikave kufitare në veri të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në mbledhjen e qeverisë, se "plani operacional për rifillimin prej nesër të funksionimit të plotë të kontrollit në dy pikat kufitare në veri është i konsultuar me faktorët relevantë ndërkombëtarë në Kosovë dhe ka mbështetjen e tyre".
"Ka ardhur koha që ky plan të implementohet, pasi është plan i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i konsultuar dhe i mbështetur në konfirmim nga EULEX-i dhe KFOR-i, është i koordinuar me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë në Kosovë", theksoi Thaçi.
Kreu i qeverisë së Kosovës bëri të ditur se "edhe sot kishte vazhduar takimet me autoritetet e EULEX-it, gjithashtu me përfaqesuesit e Quintit dhe se kishte pasur edhe një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, i cili ndodhet gjatë ditës së sotme në Kosovë".
"Është rikonfirmuar sot mbështetja e plotë e EULEX-it, mbështetja unike e Bashkimit Evropian për planin operacional të qeverisë së Kosovës. Gjithashtu, sot është rikonfirmuar mbështetja e plotë e shteteve të Quintit dhe do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me NATO-n në angazhimet tona për implementimin e plotë të këtij plani operacional", theksoi Thaçi.
"Unë dua të siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të mbështesin tërësisht sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës", theksoi kryeministri Thaçi.
Rreth mesditës kryeministri Hashim Thaçi priti në takim Andres Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Në anën tjetër Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë sot se "veprimet e njëanshme të Prishtinës, të paralajmëruara për të premten, mund ta kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit".
"Një gjë e këtillë duhet të pengohet", ka thënë Tadiq, në hapje të punimeve të forumit mbi sigurinë në Beograd.
Sipas tij, "e vetmja zgjidhje e pranueshme për Kosovën është ajo që do të mund të dilte nga dialogu, në të cilin do të tejkaloheshin dallimet".
"Zhvillimet në Kosovë kanë rrënuar rëndë bazat e raporteve ndërkombëtare, e nëse kjo vazhdon të ndodhë, ky sistem do të rrënohet përgjithmonë", ka thënë Tadiq, duke nënvizuar se në këtë formë, "do të legjitimohej ndarja e dhunshme dhe shkatërrimi i kufijve të një shteti sovran".







All the contents on this site are copyrighted ©.