2011-09-15 16:15:06

Në zbulim të Kopshteve të Vatikanit mund të shkohet edhe me minibus: iniciativë origjinale e Veprës Romake të Shtegtimeve


Për shekuj të fshehur pas mureve të larta të Shtetit të Vatikanit, Kopshtet e Papës i hapin dyert për turistët dhe për shtegtarët e të gjithë botës. Vizita në “zemrën e gjelbërt” të Vatikanit tani, është e mundur me minibusin e Veprës Romake të Shtegtimeve, në bashkëpunim me Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit. Risia u paraqit sot për shtypin me një xhiro përurimi në Kopshtet me famë botërore. Si lindi kjo ide dhe si do të realizohet? Pyetëm përgjegjësen e Zyrës së Shtypit të Veprës Romake të Shtegtimeve, Elena Gracini:
Lind nga dëshira për t’u dhënë mundësinë të gjithë personave, që vijnë në Romë, të shohin bukuritë e Kopshteve të Vatikanit. Kjo gjë mund të bëhej edhe më parë, në këmbë, por tani mund të bëhet edhe ndryshe, me autobuza të vegjël të hapur. Mund të vijnë vërtet të gjithë.
Një shtegtim sugjestiv! Cilat do të jenë bukuritë, që mund të shohin njerëzit?
Duke filluar nga sheshi i Shën Martës e duke u ngjitur lart, ka një sërë ikonash të mrekullueshme. Nuk mund të mos kujtoj se ndërsa admirohet Kupola e Shën Pjetrit, shihet Shpella e Lurdës në Vatikan. Parashikohen edhe ndalesa, si për shembull, para Tempullit të Zojës së Rojes, ose te Zoja e Fatimës, apo te ajo e Guadalupes… Pra, ka vërtet pika ku prania mariane është e fuqishme. Në ndalesa të tjera, si për shembull, para selisë së Radio Vatikanit, në Hekurudhën e Vatikanit etj., u jepet vërtet mundësia njerëzve të zhyten në botën e Kopshteve. Ndër shumë bukuri, po kujtoj edhe Shatërvanin e Shqiponjës, në mes të gjelbërimit…
Personi që ka ndërmend të vijë për të parë, me këtë mënyrë, Kopshtet e Vatikanit, ç’duhet të bëjë dhe sa kushton bileta?
Ne i presim në zyrat tona në Romë, ku mund të blihen biletat, në veçanti në zyrën e Sheshit të Shën Pjetrit. Kostoja për të rriturit është 12 euro plus tre për prenotimin, për fëmijët 8 euro, ndërsa për të vegjlit nën moshën 6 vjeçare, hyrja është falas.







All the contents on this site are copyrighted ©.