Përkujtimi i sotëm i Shën Marisë Mari të Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin
vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve
të të Birit e rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e saj merr mbi kalvar përmasën
universale. Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot lindi nga Urdhri i Shërbëtorëve
të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën
e tretë të shtatorit, pastaj me reformën e Papës Piut X, kremtimi u vendos më datën
15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur kremtimit të liturgjisë të së dielës,
e kështu kjo datë mbeti e pandryshueshme edhe pas reformës së kalendarit liturgjik
të Kishës që Pali VI e bëri menjëherë pas Koncilit të II të Vatikanit. Po cila
është domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik? Domethënia e këtij kujtimi
liturgjik është vendosur e mund të kuptohet nën hijen e Ngadhënjimit të Kryqit. Festa
e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që loton, dërmon; është
dhimbje shëlbuese që vepron - ashtu si kryqi i Zotit tonë Jezu Krishti nuk është
thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën
e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën shëlbimpruese
të Krishtit, është nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit. Maria
ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit. Askush më mirë se Ajo nuk mund të na mësojë
ta marrim mbi vete kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin…. Ky pra është këndvështrimi
teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës Mari pranë kryqit:
“Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë
e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit hyjnor, ndenji duke
vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës,
flijimin e Tij dhe duke e pranuar me dashuri flijimin që ajo vetë e kishte lindur.
E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt mbi Kryq, dëgjoi fjalët që e bënë
Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës
Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm që
merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare.
E atëherë nuk mund të mos na lindë pyetja: ‘Çfarë lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari
tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?’. Ka shumë lidhje dhe kuptim. Na tregon se
edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit
të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm..