2011-09-15 16:37:01

Imzot Tomazi në OKB: “të përpiqemi së bashku për të zhdukur trafikun e njerëzve”


Mbrojtja e dinjitetit të njeriut, siguria e dënimit për trafikantët, lufta kundër korrupsionit, edukimi në shkolla dhe vërtetësia e informacionit të mediave: këto janë mjetet për të luftuar trafikun e njerëzve, një fenomen që përfshin 3 milion persona në vit, për një shumë, që arrin 30 miliard dollarët. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi foli kështu në sesionin e 18-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e njeriut, duke denoncuar udhëtimet e rrezikshme, sekuestrimin e pasaportave dhe të dokumenteve e, reduktimin në skllavëri të viktimave nga trafikantë pa skrupuj.
Nuk është një fenomen i ri, theksoi imzot Tomazi, por skllavëria e sotme ka si tipar karakteristik globalizimin e tregun global, që shfrytëzon varfërinë e skajshme të shumë personave, të cilët dëshirojnë vetëm të ikin nga kushtet e patolerueshme të mjerimit e të dhunës. Sidomos gratë, ngriti zërin prelati, janë veçanërisht në rrezik. Kur bëhen viktima të trafikut ndryshojnë edhe mënyrën e tyre të të menduarit, e konsiderojnë veten thjesht objekte, mall shkëmbimi, zhvishen nga vlerat e nga feminiliteti i tyre, nga stima e nga ndjenjat e dashurisë si pasojë e abuzimeve të vazhdueshme seksuale.
Shkaqet e trafikut të qënieve njerëzore, vazhdoi imzot Tomazi, duhen parë në varfërinë, në konfliktet e armatosura dhe në përhapjen e korrupsionit. Lufta kundër tyre kërkon përpjekje e impenjim të madh në të gjitha fushat, por përparësi janë sidomos parandalimi, përmes programeve të informimit e të formimit në vendet e zanafillës së problemit; pastaj, nisma konkrete për mbrojtjen dhe integrimin e viktimave në shoqëri; e së fundi, ashpërsimi i dënimeve për trafikantët. Por ajo që duhet të ndryshojë rrënjësit, tha Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, është mendësia, e cila duhet ta vendosë personin e dinjitetin e tij në qendër të të gjitha veprimtarive njerëzore. Ligjet mund të ndryshojnë dhe t’i përshtaten fenomenit, sipas zhvillimit të tij, por nuk mund të ndryshojë fakti se askush nuk mund të shitet, askujt nuk mund t’i dhunohen dinjiteti dhe të drejtat themelore, pasi çdo njeri është krijuar i lirë, në përngjasim me Zotin e, si i tillë, nuk mund të trajtohet si skllav.








All the contents on this site are copyrighted ©.