2011-09-14 17:56:02

U mbyll Takimi i Shën Egjidit në Mynih. Në Mesazhin përfundimtar, thirrja e krerëve fetarë për dialog e paqe


Me leximin e thirrjes për paqen, përfundoi mbrëmë në Mynih të Gjermanisë, Takimi ndërfetar “Të destinuar të jetojmë së bashku. Fe e kultura në dialog”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Tri ditë me tryeza të rrumbullakta, në të cilat morën pjesë krerë fetarë, njerëz të politikës e të kulturës nga e gjithë bota. Gjatë ceremonisë së leximit të thirrjes për paqen, në podium u ngjitën 300 krerë të feve të ndryshme, kardinali kryeipeshkëv i Mynihut, Rajnhard Marks dhe themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Rikardi.RealAudioMP3
Në Mynih u eksperimentua gjuha e dialogut dhe e miqësisë, arma më inteligjente e më paqësore për t’u mbrojtur nga tundimi i përdorimit të feve për konflikte, tundim, që ushqehet edhe nga kriza ekonomike. Por predikuesve të terrorit u duhet përgjigjur me dialog, thuhet në rezolutën përfundimtare, e cila denoncon të këqiat e botës së sotme, si prirjen drejt ndarjes, prirjen për t’i dhënë të drejtë vetvetes, pa u kujdesur për të mirën e përbashkët, rritjen e dhunës e krizën e botëkuptimit. Globalizimi, thuhet në mesazh, është pasuri për njerëzimin, por duhet të vishet me shpirt. Edhe drejtësia duhet globalizuar.
Krerët e fesë kujtojnë, ashtu si në vitet e kaluara, se kush përdor emrin e Zotit për të urryer e për të vrarë e merr Atë nëpër gojë kot, duke blasfemuar. Nuk ka të ardhme me luftë, shkruajnë në përfundim, nuk ka alternativë për dialogun, me të cilin do të ndërtojmë një dhjetëvjeçar e një shekull paqeje. Kjo është detyra, që i vuri vetes Takimi ndërfetar i Shën Egjidit, i cili në vitin 2012 do të zhvillohet në Sarajevë, 20 vjet pas rrethimit të kryeqytetit boshnjak nga serbët në njërën nga luftrat më të përgjakshme ballkanike. Lajmin e dhanë së bashku, myftiu i Sarajevës, Mustafa Çeriç dhe ipeshkvi ndihmës katolik, imzot Pero Sudar. Do të jetë hera e parë, që Takimi i Shën Egjidit organizohet nga dioqeza katolike së bashku me autoritetet myslimane të vendit.
Për një bilanc të këtij edicioni, 25 vjet pas takimit historik në Asizi, i frymëzuar nga Papa i lum Gjon Pali II, i drejtuam mikrofonin imzot Vinçenco Paljes, këshilltar shpirtëror i Bashkësisë së Shën Egjidit:
Në fillim të këtij mijëvjeçari të ri, të këtij shekulli të ri, është veçanërisht e rëndësishme fryma e Asizit, apo dëshira për t’u takuar, për të folur, për të gjetur arsyet e thella të bashkëjetesës, për të nxjerrë nga thesari i feve atë brilant, që na bën të shikojmë lart e përtej. Me të drejtë, kujtojmë 11 shtatorin, që ishte një faqe e tmerrshme e historisë, por që pati përgjigjen e menjëhershme të Gjon Palit II, i cili i thirri krerët fetarë në Asizi, në janar të vitit 2002, pikërisht, sepse donte ta vinte vdekjen përballë një imazhi të ndryshëm. S’ka dyshim se nëse 10 vjet më parë, një grup myslimanësh shkatërronte Kullat Binjake, sot mijëra myslimanë në vendet e tyre kërkojnë më shumë liri, më shumë zhvillim e paqe. Nga thellësitë e historisë kuptohet se liria e zhvillimi janë pasuri thelbësore, që duhet t’i shohim me kujdes të madh, t’i mbrojmë e t’i ndihmojmë të rriten.
Imzot Palja, në Takim u fol edhe për “kristianofobinë” e për rrezikun që kërcënon jetën e të krishterëve. Mendoni se ekziston vërtet ky rrezik?
S’ka dyshim që po, kjo është e qartë: flasin martirët, të krishterët e vrarë nga grupe ekstremistësh e për këtë, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm. Gjithashtu, nuk duhet harruar se shpesh, edhe pakicat fetare pësojnë dhunë e shtypje. Por është i rrezikshëm edhe shekullarizmi e dhuna e atyre, që nuk besojnë në Zotin. Është urgjente aleanca e të gjithë besimtarëve kundër atij materializmi konsumist, që po godet thellë të gjithë besimtarët, në çdo vend të botës. Është një betejë shumë urgjente, pasi është shekullarizmi, materializmi, hedonizmi dhe individualizmi, që po e vrasin për vdekje krejt planetin. Fetë duhet të reagojnë, duke thirrur edhe laikë humanistë, të vëmendshëm ndaj rëndësisë së fesë në jetën bashkohore.







All the contents on this site are copyrighted ©.