2011-09-14 18:02:23

Takim në Vatikan me përfaqësuesit e Vëllazërisë meshtarake Shën Piu X.


Sot më 14 shtator 2011 në selinë e Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë janë takuar kardinali William Levada, Prefekt i të njëjtës Kongregatë e Presidenti i Komisionit Papnor Ecclesia Dei, imzot Luis Ladaria, S.J., Sekretari i së njëjtës Kongregatë, imzot Guido Pozzo, Sekretari i Komisionit Papnor Ecclesia Dei, me përfaqësuesit e Vëllazërisë meshtarake Shën Piu X, Eprorin e përgjithshëm imzot Bernard Fellay, priftërinjtë don Niklaus Pfluger e Alain-Marc Nély, asistentë të Eprorit të përgjithshëm të Lefebvrianëve .
Bashkëbisedimet e sotme janë një pikarritje e negociatave të gjata ndërmjet dy palëve që janë hapur me tërheqjen e shkishërimit të katër ipeshkvijve lefebvrianë nga ana e Papës.
Argumenti i bashkëbisedimeve, ishte pajtimi i mundshëm i Vëllazërisë së themeluar nga ipeshkvi imzot Marcel Lefebvre me Kishën Katolike të Romës. Sot paradite, Kongregata e Vatikanit për doktrinën e fesë i ka propozuar imzot Bernard Fellayt, Eprorit të lefebvrianëve, si një hyrje doktrinore që duhet të pranohet nga grupi i ultratradicionalistëve, si dhe një zgjidhje të mundshme kanonike në rastin arritjes së “pajtimit të mundshëm”. Ky aspekt i dytë, saktësoi Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, mund të konkretizohet në një Prelaturë personale ndërkombëtare, sipas modelit të asaj të Opus Dei. Bëhet fjalë për një organizëm që nuk i përgjigjet ipeshkvijve të veçantë e konferencave ipeshkvnore por drejtpërdrejtë Papës.
Salla e Shtypit e Vatikanit saktëson disa aspekte të negociatave që janë zhvillim e sipër në fusha të ndryshme teologjike doktrinore e kanonike dhe përfundimet e arritura deri më sot. Që nga viti 2008, shpjegon Salla e Shtypit vatikanase, “një komision i përzier studimi, përbërë nga ekspertë të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X e nga ekspertë të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, është mbledhur në tetë takime, që janë zhvilluar në Romës ndërmjet muajit tetorit 2009 e muajit prill 2011”.
“Këto bisedime – vijon deklarata – që patën si synim paraqitjen dhe thellimin e vështirësive doktrinore thelbësore mbi tema kontroverse, kanë arritur qëllimin e sqarimit të qëndrimeve dhe motiveve përkatëse”. “Edhe në referim të shqetësimeve e të kërkesave të paraqitura nga Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X – pohon Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – në fushën e rendit të ruajtjes së integritetit të fesë katolike para hermeneutikës së ndërprerë të Koncilit të II të Vatikanit nga Tradita, për çka foli Papa Benedikti XVI në Fjalimin e tij drejtuar Kuries Romake (22-XII-2005), Kongregata për Doktrinën e Fesë e konsideron si bazë themelore për arritjen e pajtimit të plotë me Selinë Apostolike pranimin e tekstit të Hyrjes Doktrinore që është dorëzuar gjatë takimit të 14 shtatorit 2011.
Hyrja përmend disa parime doktrinore e kritere të interpretimit të doktrinës katolike, të nevojshme për garantimin e besnikërisë ndaj Magjisterit të Kishës e “të qenit së bashku me Kishën”, duke i lënë, në të njëjtë kohë, diskutimeve të ligjshme studimin dhe shpjegimin teologjik shprehjeve të veçanta apo formulimeve të pranishme në dokumente të Koncilit të II të Vatikanit e të Magjisterit të mëvonshëm”.
“Në të njëjtën mbledhje – pohohet akoma – janë propozuar disa elemente të një zgjidhjeje kanonike kishtare për Vëllazërinë meshtarake shën Piu X pas pajtimin të mundshëm që urohet e shpresohet të arrihet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.