2011-09-14 14:47:36

Shpresoni gjithnjë në Zotin e mos e humbisni besimin në Të: kështu Papa, gjatë audiencës së përgjithshme, përqendruar mbi Psalmin 22, për të persekutuarin e pafajshëm


Sot paradite, Papa Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI në Vatikan, Psalmit 22, i cili na paraqet me tone dramatike, figurën e të pafajshmit të persekutuar. Psalm me kuptim të thellë kristologjik, që na fton të mos e humbasim besimin, edhe kur Zoti duket sikur mungon.RealAudioMP3

Është lutje plot përgjërim e tepër prekëse, që na çon të gjithëve në këmbët e Kryqit të Jezusit e na bën t’i rijetojmë Mundimet e Tij, por edhe të ndajmë me të gëzimin e pamasë të ringjalljes, tha Benedikti XVI, duke cituar vargjet e para:
“O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime! Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim” (vv. 2-3).
Psalmi, kujtoi Papa, paraqet figurën e njeriut të drejtë, të persekutuar pa faj e të rrethuar me kundërshtarë, që duan veç vdekjen e tij. Në lutjen e të pafajshmit, pa e humbur kurrë shpresën, i zënë vendin njëra-tjetrës “realiteti plot ankth i së tashmes” dhe “kujtimi ngushëllues i së kaluarës”. Britma e njeriut është thirrje drejtuar Zotit, që duket sikur i qëndron larg, që duket sikur e ka braktisur:
“Zoti hesht, e kjo heshtje ia hidhëron shpirtin personit që i lutet, që pa pushim e thërret, pa marrë përgjigje. Ditët e netët kalojnë në kërkimin e palodhur të një fjale, të një ndihme, që nuk vjen; Zoti duket kaq larg, kaq shumë mungon, kaq shumë harron”.
Kur Zoti nuk përgjigjet, nënvizoi Ati i Shenjtë, thirrja për ndihmë duket e kotë e vetmia bëhet e papranueshme. Por psalmisti nuk mund ta besojë se Zoti e ka braktisur dhe kërkon kontaktin me Të, kërkon një takim, që mund t’i japë ngushëllim e shpëtim. Britmën e tij në fillim të Psalmit “O Hyj, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” e gjejmë më vonë në Ungjillin sipas Mateut e në atë sipas Markut, si gjëmën e Jezusit, që po vdiste në Kryq:
“Ajo shpreh gjithë dëshpërimin e Mesisë, Birit të Hyjit, që po përballon dramën e vdekjes, një realitet krejtësisht të kundërt me Zotin e jetës. I braktisur nga gati të gjithë të vetët, i tradhtuar dhe i mohuar nga dishepujt, i rrethuar nga njerëz që e përqeshnin, Jezusi ndodhet nën peshën mbytëse të një misioni, që duhet të kalojë përmes përvujtërimit e mohimit të plotë të vetvetes. Prandaj i bën thirrje Atit e vuajtja e tij shprehet me fjalët e dhimbshme të Psalmit”.
Por britma e Tij, sado e dhimbshme, nuk është britma e të dëshpëruarit, ashtu siç nuk është i dëshpëruar as psalmisti në travajë. Rruga e të dyve ka në horizont lavdinë në Zotin, besimin në fitoren hyjnore:
“Lutja sfilitëse e Jezusit, pavarësisht se e ruan emocionin e dhimbjes së patregueshme, i hap horizontet drejt sigurisë së lavdisë në Hyjin… Në Mundimet e Tij, në bindjen ndaj Atit, Zoti ynë Jezu Krisht përshkon rrugën e braktisjes e të vdekjes për arritur në jetë e për t’ia dhuruar atë gjithë besimtarëve”.
Në Psalm, heshtjes së Zotit, mungesës së tij në dukje, i kundërvihet prania dhe afërsia e Hyjit, që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Psalmisti e pranon këtë afërsi, këtë dashuri, por ndjen edhe praninë e armiqve, që e frikësojnë. Atëherë, ankimi i tij bëhet lutje e përgjëruar e ankthi e zmadhon jashtëzakonisht rrezikun. Kundërshtarët duken si të pathyeshëm. Paraqiten si “kafshë të egra e shumë të rrezikshme”, ndërsa psalmisti, si një krimb i vogël:
“Por këto imazhe të përdorura në Psalm shërbejnë edhe për të thënë se kur njeriu bëhet brutal e sulmon të afërmin, diçka kafshërore mbizotëron në të dhe e bën të humbasë çdo ngjashmëri me njeriun e vërtetë; dhuna ka gjithnjë në vetvete diçka prej egërsirës e vetëm ndërhyrja shpëtimprurëse e Zotit mund t’i kthejë njeriut humanitetin e tij”.
Me figura dramatike, që i rigjejmë në tregimet mbi Mundimet e Krishtit, përshkruhet keqtrajtimi i trupit të të dënuarit. E ja ku përsëritet edhe një herë, kërkesa për ndihmë e psalmistit:
“Është kjo një britmë që shqyen qiejt, sepse shpall një fe, një siguri, që shkon përtej çdo dyshimi, çdo errësire e çdo dëshpërimi. E ankimi shndërrohet sërish, ia le vendin lavdit, që pranon shëlbimin e Zotit”.
Në fund, shpjegoi Papa, Psalmi 22 është një himn, që i thur lavdi Hyjit, së bashku me krejt popullin, me të gjithë besimtarët:
“Zoti vjen në ndihmë, e shpëton të varfërin dhe i tregon atij fytyrën e vet të mëshirshme. Vdekja e jeta ndërthuren në një mister të pandashëm e, jeta triumfon, Zoti i shëlbimit tregohet si Hyj i pakundërshtueshëm, i kremtuar në të gjitha anët e tokës, i adhuruar nga të gjitha familjet e popujve”.
Është kjo, fitorja e fesë, që vdekjen mund ta shndërrojë në dhurimin e jetës, humnerën e dhimbjes në burim shprese. Është kjo, që e bëri edhe popullin shqiptar të kalojë nëpër errësirën e komunizmit, kur Zoti heshtëte e kur dukej sikur mungonte, kur krishterimit në Shqipëri iu shtuan shumë martirë e të persekutuar, për të dalë më pas në dritën e ringjalljes së fesë. Hyji e dëgjoi lutjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.