Më 14 shtator festa e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë.
Sot më 14 shtator Kisha kremton solemnitetin e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë,
festë që ka zanafillën në Jerusalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan
ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset
ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes.
Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë.
Ndërmjet tyre, po kujtojmë reflektimin e Papës Benediktit XVI në Këln të Gjermanisë
drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Papës Gjon Palit II. Pohon
Benedikti XVI: “Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit.
Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk
i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent
të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, që vdes mbi
Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë
dhe ngre mbretërinë e Hyjit”.
E Papa Gjon Pali II në “Letrën drejtuar familjes”,
duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është
simboli i shpërblimit dhe i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit”.
Në ditën e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin
e Krishtit si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në
përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së qiellit, jetës së amshuar, duke pasur gjithnjë
parasysh fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk
jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”.
Prandaj të krishterët
krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më
i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen. Kryqi
bëhet kështu lavdi. Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në
kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës,
zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe
fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.
Kur
të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia
e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne
të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në Të e kemi shëlbimin, jetën
dhe ngjalljen tonë, në sajë të Tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Kryq i lavdishëm,
në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Kryqit. Të falem, o
Kryq, i shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë
të çmuar”.
I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar
vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në
të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në
mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë
sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave,
duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.