Më 13 shtator kalendari përkujton shën Gjon Gojartin
Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i
Kishës. I njohur si një nga Etërit e mëdhenj të Kishës së Lindjes, Shën Gjon Gojarti,
këngëtar i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit, vdiq më 14 shtator të vitit 407 duke
lënë pas shkrime, që ruajnë ende forcën me të cilën patën tërhequr dikur dëgjuesit.
Prandaj në shekullin VI qe thirrur Gojartë. Shën Gjon Krizostomi, kryeipeshkëv
i Kostandinopojës në vitin 398, ia kushtoi apostullimin e tij nxitjes së besimtarëve
për të jetuar ndershmërisht, duke u përpjekur t’i mundnin ligështitë njerëzore. Fliste
shpesh për mëkatin, për të rizgjuar ndjenjën e përgjegjësisë, dëshirën për t’u ngritur
përsëri në këmbë edhe pas rënieve, me forcën që buron nga Sakramentet. Shtyllat
e doktrinës së tij morale janë pendesa, lëmosha e pajtimi. Ajo që të bën për vete
në predikimit e Shën Gjonit, është stili dhe aftësia e rrallë e gojtarit. Predikimet
e tij nuk të lodhin, edhe pse nganjëherë tepër të gjata, sepse janë plot gjallëri,
të lidhura ngushte me jetën konkrete, të pasura me vlera dhe ide të reja. Gjoni
XXIII e zgjodhi Pajtor të Koncilit II të Vatikanit. Gjon Pali II, në enciklikën “Sollecitudo
rei socialis” kujtoi atë që ka shkruar Shenjti, duke komentuar Ungjillin sipas Mateut
për salltanetet e vendeve të kultit: “Kur mendon për të varfrit, nuk mund të të kënaqin
zbukurimet e tepërta të Kishave dhe orenditë e çmuara të kultit hyjnor; përkundrazi,
këto pasuri mund të shiteshin për t’u dhënë bukë, ujë, veshje e strehë atyre që nuk
i kanë”. Po cili është kontributi i posaçëm teologjik i Gjon Gojartit? Teoria
e pranimit, sipas së cilës Hyji vjen tek ne, sepse ne nuk mund të arrijmë deri tek
Ai, është një nga kryeveprat e tij, një ndër pjesët më të rëndësishme të teologjisë
së tij. Ndër homelitë, me përmbajtje të thellë ekzegjetike, e përqendron predikimin
kryesisht tek përdorimi i pasurive në dobi të shoqërisë. E ç’na mëson Shën Gjon
Krizostomi? Na mëson ta shikojmë Kishën si bashkësi, përmes përdorimit të pasurive
në shërbim të të gjithë anëtarëve, përmes ndershmërisë morale e, sidomos, përmes predikimit
dhe vënies në jetë të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Po me ç’sy mund t’i lexojmë
sot shkrimet e Shën Gjon Krizostomit? Ashtu si në rastin e të gjithë etërve të
Kishës, leximi i veprave të Shën Gjonit është jashtëzakonisht i dobishëm dhe i nevojshëm
për jetën shpirtërore të të krishterit, por duke pasur parasysh rrethanat shoqërore
e fetare në të cilat jetoi e veproi Shenjti, të cilat ndryshojnë shumë nga ato të
ditëve tona. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm teologjikë, Shën Gjon Gojarti
ka lënë edhe një ritë e traditë liturgjike që është e përhapur në Kishën bizantine
e që njihet si liturgjia e Gjon Krizostomit. Kështu Kisha bizantine e ka nderuar kujtimin
e Shenjtit duke ua lënë trashëgim pasardhësve shkrimet e tij, duke ia promovuar kultin
e duke ia paraqitur besimtarëve si shembull përshpirtërie, që meriton të ndiqet. Në
një farë mënyre Shën Gjon Krizostomi është bërë pajtor i liturgjisë që mban emrin
e tij, që e përdori, ndonëse mendohet se nuk është krijuesi i saj. Në katekizmat
e tij eukaristike, Shën Gjon Krizostomi një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisi?
Gjaku i një qengji i pastron njerëzit? I shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një
kafshe t’i pastrojë njerëzit, t’i shpëtojë njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”.
Në të vërtetë – vijon Krizostomi – qengji mund të ishte vetëm një gjest simbolik;
simbolizonte pritjen dhe shpresën në Dikë, i cili do të ishte në gjendje të bënte
atë që nuk mund ta bënte flijimi i qengjit. Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj
e pa tempull e megjithatë - nuk kremtoi pa qengj e pa tempull. Ishte ai vetë qengji
i pritur, i vërteti, ashtu si e kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit
publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai tempulli
i vërtetë, tempulli i gjallë, në të cilin banon Zoti e në të cilin mund ta takojmë
Hyjin e ta adhurojmë. Gjaku i tij, dashuria e Atij që është njëherësh Bir e Hyj e
njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky gjak mund të shpëtojë. Dashuria e Tij, dashuria
me të cilën ai dhurohet vullnetarisht për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti i përmallshëm,
në një farë mënyre i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e të panjollë, gjeti
përgjigje në Atë që u bë për ne qengj e tempull njëherësh. “Kështu në qendër të Pashkëve
të reja të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re që na solli Ai. E kështu
Ai mbet përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën mund të kremtojmë me apostujt
në rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet ne. T’i lutemi Zotit që ta
kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm, ta duam gjithnjë më shumë
e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi që kungimi shenjt të na
tërheqë gjithnjë më shumë brenda vetes e të na ndihmojë të mos e mbajmë jetën tonë
për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së bashku me Të, që njerëzit
të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm nga Ai që është vetë
Rruga, e Vërteta, Jeta.