2011-09-13 15:30:29

Kryeipeshkvi Mambertì në OSBE: të ndalet urrejtja fetare, e lidhur ngushtë me mohimin e lirisë së fesë


“Krimet, për shkak të urrejtjes fetare, janë të lidhura me mohimin e lirisë së fesë”: kështu foli dje, Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì, në mbledhjen e OSBE-së (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë) në Romë, duke kërkuar propozime konkrete për mbrojtjen e lirisë së fesë në 56 vendet, anëtare të organizatës.
Sipas një raporti të ODIHR-it (Zyra e OSBE-së për të drejtat e njeriut), vitet e fundit, të paktën në 12 shtete anëtare janë regjistruar episode dhune kundër të krishterëve, rritjen e numrit të të cilave e vuri në dukje edhe imzot Mambertì. Diskriminimi i atyre, që e dëshmojnë haptas fenë, është i pranishëm edhe në vendet ku shumica e quajnë veten të krishterë, duke dhënë kështu shembull negativ edhe për shtetet e tjera.
“Liria fetare – shpjegoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, duke cituar Papën Benedikti XVI – është e para ndër të drejtat e njeriut, pasi historikisht, është njohur e para dhe sepse ka të bëjë me përmasën thelbësore të njeriut, me marrëdhëniet e tij me Krijuesin e vet”.
Por, edhe respekti për lirinë e fesë nuk mund të merret me relativizëm, si mënjanim i fesë vetëm në sferën private të njeriut. “Feja – theksoi imzot Mambertì – është më tepër se një opinion privat, ajo ka gjithnjë ndikim mbi shoqërinë e mbi parimet morale”. Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet kujtoi Rezolutën e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, miratuar këtë vit në një mbledhje në Beograd, duke e quajtur “hap të rëndësishëm përpara në debatin mbi intolerancën dhe mbi diskriminimin e të krishterëve”, por kërkoi që parimet e shprehura në të, të ndiqen nga faktet e masat konkrete.







All the contents on this site are copyrighted ©.