2011-09-13 15:30:16

Ipeshkvijtë e Indisë për vizitën “ad Limina” në Vatikan. Kisha indiane për të rinjtë e të varfrit


Vazhdon në Vatikan, vizita “ad Limina Apostolorum” e ipeshkvijve indianë, gjatë së cilës ata takohen me Papën dhe me krerët e dikastereve të ndryshme të Selisë së Shenjtë për të njoftuar dhe për të diskutuar me ta çështjet, problemet dhe për të parashtruar gjendjen e Kishës Katolike në Indi. Në vend, të krishterët janë shpesh në shënjestër të fondamentalistëve hinduistë, por gjendja po përmirësohet e ka shumë shpresa për të ardhmen, siç nënvizon në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Bopalit, imzot Leo Kornelio:
Në Indi, vend që mund ta quajmë nënkontinent, ka shumë kontraste. Ka shumë kultura, gjuhë e fe e dalëngadalë, po rritet pabarazia ndërmjet të pasurve e të varfërve. Pikërisht për shkak të këtij ndryshimi kemi konflikte, që shfaqen edhe në fushën e fesë. Kemi një grup radikal hinduist, që krijon vështirësi. Këta fondamentalistë nuk duan të ekzistojë mundësia e kthimit nga një fe në tjetrën. Mendojnë se fe si krishterimi, islamizmi e judaizmi janë “të huaja”. Mund të them me siguri se çështja nuk qëndron tek feja: shkaku kryesor i problemeve është politik. Ekstremistët janë politikanë, ai lloj politikanësh që manipulojnë njerëzit për të krijuar vështirësi. Por India në tërësi është një vend i lirë, një demokraci e madhe me shumë gjëra pozitive.
Cili mund të jetë kontributi i Indisë në botë?
Gjëja më e rëndësishme është se India respekton lirinë e të gjithë njerëzve. Kemi lirinë e shprehjes: ne mund të themi gjithmonë atë që duam. Kemi lirinë e ndërgjegjes. Ekziston edhe shumë korrupsion e egoizëm, por njerëzit janë të lirë ta kritikojnë këtë e t’i thonë qeverisë se kështu nuk shkon. Me këtë demokraci, në Indi, mund të shprehemi lirisht, gjë që nuk është e mundur në vende të tjera, si në ato pranë nesh. Mund të jetojmë së bashku, pavarësisht nga kontrastet. Në një studim të kohëve të fundit vërehet se 95% e të rinjve deklarojnë se janë të kënaqur me jetën e tyre. Nuk janë të pasur, nuk kanë shumë para, por kanë shpresë në të ardhmen e kjo mendoj se është shumë e rëndësishme për të gjithë botën. Ne jemi të pasur me shpresë e rinia është e pasur me entuziazëm.
E Kisha tregon vëmendje të veçantë për të rinjtë, apo jo?
Kisha bën vërtet shumë për të rinjtë, pasi mendojmë se e ardhmja e Kishës varet nga formimi i të rinjve. Ata mund të ndërtojnë një Kishë më pozitive e duhet t’i formojmë, të ndërgjegjshëm për këtë.

Kujtojmë se vizita “ad limina apostolorum” është vizitë që periodikisht, zakonisht çdo 5 vjet, ipeshkvijtë duhet të bëjnë në Romë për të informuar Selinë Apostolike mbi gjendjen e dioqezave të veta.







All the contents on this site are copyrighted ©.