2011-09-12 16:07:30

Lambrinidis: Shqipëria e ka të qartë të ardhmen e saj evropiane


Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis, theksoi në sot në një konferencë për shtyp në Tiranë, pas takimeve me drejtuesit më të lartë politikë të vendit se, Shqipëria e ka të qartë objektivin e saj drejt të ardhmes evropiane.
"Një gjë është tepër e qartë nga takimet e shkëlqyera që patëm sot, që përsa i përket të ardhmes së saj evropiane, Shqipëria e ka këtë objektiv të qartë, i cila i bashkon të dyja palët si mazhorancën edhe opozitën", tha Lambrinidis, i cili shtoi se, "ashtu siç na është thënë nga të gjithë, ky objektiv është edhe i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar".
"Ne jemi këtu të përfaqësojmë Bashkimin Evropian. Gjithashtu gjendemi këtu si përfaqësues të Greqisë dhe Italisë, me ministrin e Jashtëm Frattini, të cilat janë mbështetës të fortë e të përzemërt të Shqipërisë dhe të së ardhmes së saj evropiane", tha ministri i jashtëm grek.
"Mesazhi që iu dërgojmë sot është që ka ardhur koha për një bashkim kombëtar për rrugën tuaj drejt Evropës", tha Lambrinidis.
Sipas tij, tashmë që zgjedhjet përfunduan dhe parlamenti rifilloi punën e vet konstruktive, vëmendja e politikanëve shqiptarë duhet të jetë tek 12 prioritetet e Komisionit Evropian.
"Reforma elektorale, reforma parlamentare, respektimi i të drejtave civile dhe të minoriteteve, lufta ndaj krimit të organizuar, transparenca, funksionimi i parlamentit janë disa nga kërkesat e KE dhe kemi mbetur të kënaqur që kemi parë se këto janë edhe në fokusin e palës shqiptare për të promovuar të ardhmen evropiane", tha Lambrinidis. Sipas tij, ligjet e duhura dhe aplikimet e duhura të ligjeve janë kërkesat e Komisionit Evropian.
"Ne në Evropë, në KE, në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE, jemi të mendimit që Shqipëria në fakt i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që të arrijë të plotësojë rekomandimet që kërkohen nga BE", u shpreh Lambrinidis.
"Në vitin 2003 në Samitin e Selanikut, pat filluar perspektiva evropiane për të gjithë rajonin. Arritjet e Shqipërisë si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO janë prova që Shqipëria ka mundësitë që të ketë të ardhme evropiane", theksoi ai.
Sipas Lambrinidis, "Procesi i së ardhmes është e vështirë. Ai ka nevojë për përgatitje rigoroze, bashkëpunim konstruktiv mes forcave politike dhe konsensus".
Ju garantojmë që në këto reforma do të jemi në anën tuaj dhe do t'iu mbështesim në të gjithë projektet tuaja që të arrijmë ëndrrën tuaj dhe ëndrrën tonë", përfundoi Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis.







All the contents on this site are copyrighted ©.