2011-09-12 15:03:05

10 vjet pas 11 shtatorit 2001, Amerika bashkohet në heshtje e në lutje


“Pas natës me lot, agimi i gëzimit”. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama perifrazoi këtë pjesë nga Bibla për të nënvizuar dëshirën për ringjallje të popullit amerikan, 10 vjet pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001. Mbrëmë, foli në Qendrën Kenedi të Uashingtonit, në fund të një dite intensive, përjetuar me emocion në Nju Jork, Uashington e Pensilvani – tri vendet e sulmeve terroriste të 10 vjetëve më parë. Qendër e përkujtimeve qe “Ground Zero” në Nju Jork, ku u përurua memoriali kushtuar 3 mijë viktimave të pafajshme të atentateve.
Zhurma e ujit në shatërvanët e mëdhenj të “Ground Zero”, tingujt mallëngjyes të violinës, rënia e këmbanave të përkujtimit. E sidomos, heshtja! Një heshtje, që fliste, karakterizoi ceremoninë në vendin, që njujorkezët e kanë ripagëzuar me emrin “Ground Hero”, për nder të sa e sa heronjve – zjarrfikës, policë e qytetarë të thjeshtë – të cilët flijuan jetën për të shpëtuar të tjerët. E heshtja e djeshme pati edhe notat e së famshmes “The Sound of Silence”(Tingujt e heshtjes), shkruar nga Paul Simon, pas vrasjes së Xhon Kenedit dhe kënduar prej vetë autorit, në një nga çastet më prekëse të ditës:
Shumë vetëve u erdhi keq që administrata e krybashkiakut Blumberg nuk kishte ftuar krerë fetarë në përurimin e Memorialit. Kjo mungesë, gjithsesi, nuk e la mënjanë Zotin e përmasën shpirtërore, që u ndje jashtëzakonisht në të gjitha çastet e ceremonisë. Shumë familjarë të viktimave, së bashku me fotografinë e të dashurve të tyre dhe me flamurin amerikan, mbanin në qafë, ose në dorë, një kryq. Edhe leximet poetike të zgjedhura për përkujtimin, kishin përmbajtje fetare:
“Zoti është për ne strehim dhe fuqi – tha presidenti Barak Obama, duke lexuar një frazë të Psalmit 46 – prandaj nuk do të tutemi edhe nëse lëkundet toka”. Ndërsa paraardhësi i tij, Xhorxh W. Bush zgjodhi një pjesë nga letra e presidentit Linkoln për një nënë, që i kishte humbur të pesë bijtë në Luftën Civile. Edhe në të, referimi për Zotin si Ngushëllues i zemrave në travajë, është i qartë:
“Lutem që Zoti të lehtësojë ankthin e zisë suaj e t’iu lerë vetëm kujtimin e bukur të atyre, që i deshët e i humbët”. I mallëngjyer, ndërsa i drejtohej Hyjit, Rudolf Gjuliani, kryebashkiak i Nju Jorkut në epokën e 11 shtatorit, që kujtoi sidomos familjet e viktimave, të cilëve, atë ditë, u ndryshoi jeta përgjithmonë:
“Zoti bekoftë çdo jetë që humbëm – tha Gjuliani – Zoti bekoftë të gjithë familjarët, të cilëve u është dashur ta durojnë këtë humbje”. E pikërisht leximi i emrave të viktimave nga ana e të afërmve të tyre, qe momenti më prekës i përkujtimit në “Ground Zero”. 2983 emra me kombësi të ndryshme, që treguan se atentatet e 11 shtatorit nuk qenë vetëm sulm kundër Amerikës, por kundër gjithë njerëzimit:
“…edhe vajza ime e mrekullueshme Laura Anxhileta. Laura, ne të duam shumë. Na mungon shumë…”. “I dashur baba – tha një fëmijë 10-vjeçar, duke lexuar emrin e të atit – nuk munda të të njoh, por dua ta dish sa mirë më ka rritur nëna”. E një tjetër adoleshent: “Do të kisha dashur, që im atë të më mësonte si të luaj bejsboll, si t’i jap makinës, si të ftoj për darkë një shoqe”.
Nju Jorku, qyteti amerikan që nuk fle kurrë, dje u ndal në heshtje për të rigjetur vetveten e për të parë me shpresë të re të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.