2011-09-11 18:31:15

Papa të fejuarve: “Ecni së bashku në rrugën drejt martesës, duke mësuar ta dhuroni vetveten, të falni e të respektoni tjetrin”


Pasditja e Atit të Shenjtë iu kushtua e gjitha familjes, të fejuarve, meshtarëve, të gjithë atyre, që kanë misionin e përbashkët të dëshmimit të Krishtit e të edukimit të brezave të rinj të krishterë. Në sheshin e Plebishitit, Papa ua besoi të rinjve të fejuar, trashëgiminë e Kongresit Eukaristik, i cili filloi më 3 shtator e përfundoi sot. I vetëdijshëm për sfidat, që kanë përpara të rinjtë, duke u nisur nga vështirësitë për të gjetur një punë të qëndrueshme, tek relativizmi, që prek vlerat thelbësore të jetës, tek ekzaltimi i trupit në një seksualitet të banalizuar, Benedikti XVI u bëri thirrje:RealAudioMP3
“Mos kini frikë t’i përballoni këto sfida! Mos e humbisni kurrë shpresën. Guxim, edhe në vështirësi, duke mbetur të patundur në fe. Të jeni të sigurtë, se në çdo rrethanë, duheni dhe mbroheni nga dashuria e Zotit, që është forca jonë”.
Duke marrë si shembull dasmën e Kanës, Papa shpjegoi se edhe sot, të gjitha elementet e saj janë të pranishëm në shoqëri, por mungon vera. Benedikti XVI u kujtoi të rinjve të fejuar qëndrimin e shën Marisë, e cila i nisi dasmorët te Jezusi, duke u thënë të bënin ç’tu thoshte Ai. Edhe sot, nënvizoi Ati i Shenjtë, Jezusi është vera e festës. Më pas, Papa preku me radhë të gjitha problemet e të fejuarve, duke i këshilluar ata të mos mbyllen në marrëdhënie thjesht intime, por të jenë tharmi i pranisë aktive dhe të përgjegjshme në bashkësinë e krishterë. Dashuria, u tha Benedikti XVI, ka nevojë për kohë, që të arrijë maturinë, ka nevojë të përshkojë një rrugë, gjatë së cilës çifti mëson si ta dhurojë vetveten, si të flijojë diçka për tjetrin, si të falë e si ta respektojë tjetrin, pa harruar që këtë gjuhë të dashurisë ta përdorë gjithë jetën. Kujdes nga bashkëjetesa, i këshilloi Papa, e cila nuk është garanci për të ardhmen; mësohuni të vlerësoni lirinë që sjell besnikëria bashkëshortore, që të jeni në gjendje ta thoni pa problem fjalën “përgjithmonë”, e cila përmbahet në martesë:
“Besnikëria, pazgjidhshmëria dhe përçimi i jetës janë shtyllat e çdo familjeje, pasuri e vërtetë e përbashkët, trashëgim i çmuar për krejt shoqërinë. Që tani, bazojeni mbi to rrugën drejt martesës e dëshmojani këtë edhe bashkëmoshatarëve: është një shërbim i çmuar!”







All the contents on this site are copyrighted ©.