2011-09-11 18:23:42

Benedikti XVI, në Ankona për mbylljen e Kongresit XXV Eukaristik Italian, i fton besimtarët të rifillojnë nga Eukaristia për ta shndërruar jetën


Eukaristia mund ta shndërrojë jetën e përditshme e të na tregojë udhën për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më vëllazërore. Me këto mësime, Benedikti XVI mbylli sot paradite në Ankona, Kongresin XXV Eukaristik Italian, duke kremtuar Meshën në breg të Adriatikut, në kantierin detar të qytetit bregdetar të Markeve, para rreth 100 mijë vetëve. Kremtimi eukaristik ishte vetëm takimi i parë i Papës, i cili bëri sot një vizitë njëditore në Ankona, duke kryer edhe udhëtimin e 24-t apostolik brenda Italisë.RealAudioMP3
Në qytetin e pasur me histori e jetë të krishterë, portë drejt Lindjes, Benedikti XVI e kremtoi Meshën mbi një elter të bardhë, në të cilin, pas shpinës së Atit të Shenjtë, dalloheshin kryqi dhe dy vela simbolike, para detit të kaltërt. Bashkëkremtuan me të kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Angjelo Banjasko dhe kryeipeshkvi i Ankona- Ozimos, imzot Eduard Menikeli. “Njerëzit kanë nevojë për fenë, si për bukën” i tha Papës gjatë përshëndetjes kardinali Banjasko, e Ati i Shenjtë u përgjigj duke komentuar reagimin e dishepujve para Fjalëve të Jezusit mbi Bukën e jetës, në kapitullin VI të Ungjillit të Shën Gjonit. Duhet ta vendosim Zotin në plan të parë, nënvizoi Benedikti XVI e kjo bëhet duke u nisur nga Eukaristia, pra nga Buka e vërtetë e jetës. Në të, Hyji na afrohet aq sa të bëhet ushqim për ne, na dhurohet që të na shndërrojë:
“Kungimi eukaristik, të dashur miq, na shkëput nga individualizmi, na komunikon shpirtin e Krishtit të vdekur e të ringjallur, na bën si Ai; na bashkon ngushtë me vëllezërit në atë mister bashkimi, që është Kisha, ku e njëjta Bukë i bën të shumtët një korp të vetëm”.
Eukaristia, vazhdoi Papa, i aktivizon energjitë tona morale:
“Kush di të gjunjëzohet para Eukaristisë, kush merr korpin e Krishtit në zemër, nuk mund të mos jetë i vëmendshëm para gjendjes së padenjë të njeriut në ditët tona e di të përkulet i pari mbi nevojtarin, di të ndajë bukën me të uriturin, të ndajë ujin me të eturin, të veshë të zhveshurin, të vizitojë të sëmurin e të burgosurin”.
Përshpirtëria eukaristike, tha Benedikti XVI gjatë homelisë, është ilaçi i vërtetë kundër individualizmit, ajo që i bën njerëzit të kapërcejnë kundërshtitë e ta ndjejnë veten bashkësi, që përballon si një grusht i vetëm vështirësitë shoqërore e krizën ekonomike:
“Përshpirtëria eukaristike është rrugë për t’u kthyer dinjitetin ditëve të njeriut e, edhe punës së tij, në përpjekjen për të pajtuar kohën e festës e të familjes me atë të punës e për të kapërcyer pasigurinë e punës me hope e problemin e papunësisë”.
Këto fjalë të Papës u përforcuan nga gjesti i bashkëndarjes së bukës, në drekën në Qendrën Baritore të Kodrës Ameno, ku përveç ipeshkvijve, ishin të pranishëm edhe disa punëtorë të papunë dhe një përfaqësi nga të varfërit, që ndihmohen nga Karitasi.







All the contents on this site are copyrighted ©.