Me 10 shtator kalendari përkujton shën Nikollin nga Tolentino
Jeta e Shën Nikollit nga Tolentino rregulltar agostinian, është një jetë urate, pendese
e apostullati apo veprimtarie. Asket jashtëzakonisht i ashpër e rigoroz me vetveten,
por i butë e plotë mirëkuptim me të varfërit e të sëmurët, Shën Nikolla nga Tolentino,
të cilin Kisha e kujton sot, është i njohur si apostulli i rrëfyestoreve e, në mënyrë
të posaçme, për kujdesin që kishe ndaj shpirtrave në Purgator. Nikolli lindi në
vitin 1245 në Kastel Sant Anxhelo të Pontanos, dioqeza italiane e Fermos, nga prindër,
që dëshironin prej vitesh një fëmijë. Katërmbëdhjetë vjeç hyri si novic apo dëshirtar,
do të thotë pa detyrime e pa kushte, në Urdhrin e oshënarëve të Shën Agostinit, në
vendlindje. Më pas u pranua rregullisht në Urdhër e, më 1274, u shugurua meshtar në
Çingoli. Bashkësia agostiniane e Tolentinos u bë shtëpia e tij nënë, e territori
markixhan, me kuvendet e tij të shumta të Urdhrit Agostinian, ku strehohej gjatë shtegtimeve
të tij si predikatar, fusha e punës. Pjesën më të madhe të ditës ia kushtonte lutjeve,
në sa agjëronte vazhdimisht. Ishte një asket gjithnjë me buzë në gaz, një pendestar
që përhapte gëzim, kudo që shkelte. E dëgjonin kur predikonte, e ndiqnin me vëmendje
të madhe kur rrëfente ose kur fliste në raste të ndryshme, dhe vërenin, të çuditur,
se ishte gjithnjë me të njëjtin humor. Kalonte nga tetë deri në dhjetë orë në lutje,
ushqehej vetëm me bukë e ujë, e megjithatë kur fliste, përhapte gëzim shpirtëror. Shumë
njerëz vinin në rrëfyestoren e tij nga larg. Gjunjëzoheshin të ngarkuar me mëkate,
largoheshin të pasuruar nga besimi i tij plot gëzim në Zotin. Gjithnjë i ndjekur nga
zëra që flisnin për mrekulli, në vitin 1275 u vendos në Tolentino, ku vijoi të jetonte
deri në vdekje, më 10 shtator 1305. Shën Nikolla nga Tolentino mbeti në kujtesën
e njerëzve, e në faqet e Martiriologut Romak, si njeri i rreptë me vetveten, por i
mëshirshëm me të tjerët; si rrëfyes, që ia ngarkonte vetes pendesën, të cilën duhet
ta bënin pendestarët që përmes Sakramentit të Rrëfimit kërkonin pajtimin me Zotin
dhe të afërmin. Pas vdekjes, 371 dëshmitarë do të flisnin për mrekulli të shumta që
bëri Zoti përmes Nikollit, i cili u shpall shenjt në vitin 1446, në sa në bazilikën
e Tolentinos, ku pushon në paqe, kishin nisur prej kohe shtegtimet tek varri i tij
e mrekullitë e Zotit, që vijojnë edhe sot e kësaj dite me ndërmjetësimin e tij.