2011-09-09 15:27:19

Shqipëri: Berisha dënon vrasjen e gjyqtarit Konomi e kërkon autorët e aktit mizor para ligjit


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dënoi sot me ashpërsinë më të madhe aktin e shëmtuar kriminal që mori jetën e gjyqtarit, Skerdilajd Konomi, në qendër të qytetit të Vlorës. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë së Tiranës, Kreu i Qeverisë shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin e tij, si dhe të qeverisë së Shqipërisë, ndaj familjes Konomi dhe të trupës gjyqësore të vendit. Kryeministri Berisha kërkon nga organet kompetente gjetjen dhe vendosjen para ligjit të autorëve dhe organizatorëve të këtij akti mizor.
Edhe Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë, (UGJSH) dënoi ashpër sot aktin kriminal të vrasjes se gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
Në deklaratën e shpërndarë sot për mediat nga UGJSH, thuhet se, "sulmi ndaj gjyqtarit Konomi është sulmi me i egër, pas disa sulmeve te tjera verbale dhe fizike, që i është bërë ndonjëherë sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ky sulm, me mënyrën, kohën dhe vendin e ekzekutimit te tij, duke mbjelle një klime terrori të pashembullt, ka për synim jo vetëm terrorizimin dhe frikësimin e sistemit gjyqësor por, mbi të gjitha goditjen, terrorizimin dhe frikësimin e të gjithë sistemit të drejtësisë, agjencive te zbatimit te ligjit dhe cenimin e sundimit të ligjit në vend".
Në njoftimin për shtyp thuhet gjithashtu se, "UGJSH dënon fuqimisht këtë akt terrorist, që i mori jetën gjyqtarit Konomi dhe i bën thirrje organeve të zbatimit të ligjit që në mënyrë urgjente, të tregojnë angazhimin dhe përkushtimin e tyre me të thellë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, për të vënë përpara drejtësisë autorët e këtij krimi monstruoz e me pasoja tepër të renda për te gjithë jetën social-ekonomike në vend, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe funksionimin normal të shtetit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi".
Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore te rrisin performance e tyre ne drejtim te mbrojtjes, sigurisë së jetës dhe familjeve të gjyqtarëve, si dhe shprehu ngushëllimet me te sinqerta familjes dhe te afërmeve të të ndjerit Konomi. Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi u vra sot në Vlore, një atentat me eksploziv ne makinën e tij.
Zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, dënoi sot ashpër aktin kriminal të vrasjes së gjyqtarit, Skerdilajd Konomi.
Në një konferencë shtypi, Spahiu dënoi publikisht dhunën ndaj gjyqtarëve, nëpërmjet këtij ekzekutimi terrorist, i cili nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë vend, ku funksionon rendi, siguria dhe shteti ligjor. "Ky akt është në vazhdën e disa ngjarjeve, atentateve dhe veprave të dhunshme kundër gjyqësorit përgjatë viteve të fundit dhe përbën një rast të paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare".
"Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jetë në udhën e Brukselit dhe jo në Siçilinë e 50 viteve me parë, ku drejtësia gjunjëzohet përballë veprave mafioze dhe krimit të organizuar. Një shtet ligjor, i cili nuk mund të garantojë jetën e gjyqtarëve, nuk mundet të japë garanci për jetën e qytetarëve të thjeshtë dhe nuk mundet të garantojë dhënien e drejtësisë nga ata, të cilët kërcënohen me jetë dhe humbasin jetën rrugëve të Shqipërisë", tha Spahiu.
Numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Spahiu kërkoi që "kjo çështje të trajtohet me prioritet maksimal nga organet e hetimit dhe të gjenden dhe të vendosen para drejtësisë autorët e kësaj masakre kriminale". "Ky akt mafioz është një goditje për sistemin e drejtësisë, një sulm i drejtpërdrejt dhe i egër, i cili duhet të sjellë reflektim të menjëhershëm të shtetit për veprimet e menjëhershme që duhet të ndërmerr në të ardhmen në mbrojtje të sigurisë së jetës së gjyqtarëve", tha Spahiu, ndërsa i shprehu ngushëllimet familjes së të ndjerit.
Gjyqtari Skerdilajd Konomi, ishte diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe ka qenë një nga prurjet e reja më të mira të gjeneratës së kësaj shkolle. Ai ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi u vra sot në Vlorë, në një atentat me eksploziv në makinën e tij. Ndërkohë, organet e rendit kanë nisur hetimin e çështjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.