Raport i OBZHE-së: fundi i krizës ekonomike botërore është akoma larg
Dalja nga kriza ekonomike botërore është akoma larg. Kështu thonë statistikat e publikuara
në një raport të Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, të cilat sinjalizojnë
gati amulli në të gjitha rajonet kryesore botërore e madje edhe pakësim të zhvillimit
të ekonomive emergjente, siç quhen ato të Kinës, Indisë, Brazilit e Rusisë. Më gjerësisht,
folëm me ekonomistin italian, Françesko Karlà: Janë të dhëna të parashikueshme
e madje janë parashikuar, sepse është e qartë se nëse dy tregjet e mëdha, ai evropian
dhe ai amerikan, kanë prirjen për të shkuar drejt amullisë, projektojnë në të gjithë
globin moszhvillim. Vendet emergjente, që janë makina të mëdha prodhuese për këto
dy tregje, s’mund të bëjnë tjetër veçse të zvogëlojnë prodhimin për të mos krijuar
stoqe, pasi kërkesa nga ana e Evropës dhe e SHBA-ve është ulur. Megjithatë,
pavarësisht nga tregu, flitet edhe për përgjegjësinë e shteteve, për përgjigjen e
gabuar e të vonuar të politikës përballë krizës ekonomike… Problemi është se
gjërat nuk bëhen me kohët e politikës. Kjo dëshmohet gjerësisht nga dyvjeçari i fundit,
ose nga faktet e vitit 2008, me “Lehman Brothers” e të tjerët. Politika ka pasur kohë
për të menduar masat më të përshtatshme, por, fatkeqësisht, është vonuar, madje, edhe
pas sinjaleve të Greqisë, që ishin krejtësisht të qarta e që tregonin cilat do të
ishin masat e nevojshme për vendet e tjera në vështirësi, me borxhe të mëdha… Gjërat
nuk u bënë si duhet e tani, ta pret mendja që situata nuk është pozitive. Edhe
ekonomitë emergjente, të cilat kohët e fundit ishin të vetmet, që e tërhiqnin pas
vetes ekonominë botërore, po e ndjejnë krizën amerikane dhe evropiane. Cilat janë
pasojat për ato vetë? Pasojat për këto vende kanë të bëjnë me pamundësinë për
të krijuar atë kapacitet konsumi të brendshëm, që do të ekuilibronte eksportimet,
të cilat janë akoma burimi kryesor i fitimeve. Prandaj, ka mundësi që zhvillimi i
tyre prej 7, 8, 9% të frenohet gjatë muajve të ardhshëm e të ulet deri në nivele si
3, ose 4%. A mund të parashikohet rizhvendosja e aksit ekonomik ndërkombëtar
drejt Evropës dhe Amerikës, sipas jush? Varet nga këndvështrimi. Nga pikpamja
e prodhimit të brendshëm brut të këtyre zonave, nuk e besoj, sepse skema do të mbetet
po ajo: pra, vendet e “BRIC”-ut, siç quhen Brazili, India, Kina e Rusia, do të vazhdojnë
të prodhojnë mallra e energji për llogari të të tjerëve, ndërsa Evropa do të vazhdojë
debatet mbi problemet e saj politike, financiare dhe ekonomike. SHBA-të, me politikën
e tyre monetare, do të përpiqen të zvogëlojnë borxhet, problemi i të cilave shpërtheu
në vitin 2008, me historinë e “Lehman Brothers”. Për më tepër, do të kemi një aks
të katërt problemesh globale, i përbërë nga bota arabe, që pas ‘pranverës’, që solli
fundin e tiranëve në Egjipt, Tunizi, Libi e Jemen, nuk dihet nëse është në gjendje
të shkojë drejt demokracisë. Gjithsesi, duhet parë se ç’do të thotë kjo nga pikpamja
e zhvillimit të tyre ekonomik.