2011-09-09 13:11:29

Papa ambasadorit të ri të Britanisë Madhe, relativizmi moral shkakton dëshpërim e dhunë.


Arsimi, mundësitë të reja shoqërore, punësimi: këto kërkoi Papa, në fjalimin e tij drejtuar ambasadorit të ri të Mbretërisë së Bashkuar, Nigel Marcus Baker, të cilin e priti sot paradite në Kastelgandolfo për paraqitjen e Letrave kredenciale. Benedikti XVI vlerësoi nismat e Britanisë Madhe ndërmarrë në nivelin ndërkombëtare për reduktimin e borxhit dhe financimin e zhvillimit e kujtoi mësimet e të Lumit kardinalit Newman, që u shërbejnë atyre “që kërkojnë zgjidhjen e çështjeve politike, ekonomike e shoqërore të epokës sonë”. Në fjalimin e tij Papa përmendi edhe vizitën historike të Mbretëreshës Elizabeta në Irlandë, të cilën vizitë e quajti një etapë të rëndësishme në procesin e pajtimit me Irlandën e Veriut e kujtoi edhe trazirat e kësaj vere.
Pamjet e gueriljes që gjatë kësaj vere kanë tronditur qytete të ndryshme britanike gjejnë tokë të frytshme edhe në “relativizmin moral” të shoqërisë dhe në mungesën e “vlerave objektive”. Kështu pohoi mes tjerash Benedikti XVI gjatë audiencës së sotme në Kastelgandolfo me Ambasadorin e ri britanik pranë Selisë së Shenjtë, Nigel Marcus Baker, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale.
Duke iu referuar në mënyrë të veçantë “ngjarjeve që ndodhën gjatë të kësaj vere në Angli”, Papa Ratcinger nënvizoi se “kur politikat nuk lejojnë apo nuk promovojnë vlerat objektive, rezultat i relativizmit moral, në vend që të çojë drejt një shoqërie të lirë, të ndershme, të drejtë dhe mirëkuptuese, përkundrazi prodhon zhgënjim, dëshpërim, egoizëm, përbuzje për jetën dhe lirinë e tjerëve”. Prandaj politikanët “duhet të kërkojnë urgjentisht udhët për zhvillimin e një edukimi të mirë, të shëndosh, të krijojnë e promovojnë mundësi të reja shoqërore dhe mobilizimin e ekonomisë, të studiojnë rrugë për favorizimin e punësimit afat gjatë dhe shpërndarjen e pasurive në mënyrë sa më të drejtë të mundshme e të gjerë në mbarë shoqërinë”. Më tutje duhet ë “përforcohen vlerat themelore të një shoqërie të shëndosh, përmes mbrojtjes së jetës e të familjes, përmes edukimit moral të të rinjve, me një kujdesim vëllazëror ndaj të varfërve e të mënjanuarve, çka do të ndihmonte me siguri ndërtimin pozitiv të shoqërisë e formimin e ndërgjegjshëm të detyrave personale që çdo individ ka para bashkësisë njerëzore, duke kontribuar për të mirën e përbashkët e për një bashkësi të vërtetë vendore”, shtoi Benedikti XVI. Në fjalimin e tij ambasadorit të ri britanik, Papa kërkoi “modele të zhvillimit që përdorin njohuritë moderne për shfrytëzimin e burimeve natyrore duke respektuar mjedisin e ndihmuar familjen njerëzore, pa dallim e pa përjashtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.