Me 9 shtator kalendari përkujton shën Pjetër Klaverin, jezuit
Sot me 9 shtator Kisha përkujton festën e Shën Pjetër Klaverit (25.6.1580 -8.9.1654),
rregulltar jezuit, që shkriu jetën për zezakët, viktima të tregtisë së skllevërve.
“Aethiopum sempre servus” (përherë shërbëtor i etiopëve): kështu e quante veten
Shenjti, që kremton sot Kisha katolike. Duhet kujtuar se asokohe etiopë quheshin të
gjithë zezakët, të cilëve Pjetri vendosi t’ua kushtojë jetën, duke u vënë në shërbim
të skllevërve, që kapeshin në Afrikë e shiteshin në Amerikën jugore. Në prill të vitit
1622, kur bëri kushtet e përjetshme në Granadën e Re, jezuiti i ri nisi edhe realizimin
e planit të tij, për t’u bërë skllav i skllevërve zezakë. I lindur në Barcelonë
të Spanjës më 25 qershor të vitit 1580, hyri që i vogël në kolegjin e jezuitëve. Më
pas vijoi studimet klasike në universitetin e drejtuar prej tyre, në kryeqytetin katalan,
ku më 1604 bëri edhe kushtet e përkohshme. Në vitet 1605-1608 studioi filozofi
në Palma di Majorka. E këtu e ndihmuan shumë ‘leksionet’ që mori nga portieri, Alfons
Rodriguez, tregtar nga Segovia i cili, si humbi familjen, nisi punën e re, të përvujtë,
në portën e jezuitëve. Por shumë shpejt dhomëza e tij mori pamjen simbolike të auditorit
e ai u bë mësues përshpirtërie, me të cilin këshilloheshin njerëz të ditur e të pushtetshëm
e posaçërisht, nxënësit e rinj, si Pjetër Klaveri. Kushdo hynte në portieri (derë)
i shqetësuar, dilte që aty krejt i qetë. I nisi studimet e teologjisë në Barcelonë
e i kreu në Kartagjenë të Kolumbisë, ku u shugurua meshtar më 1616. Këtu zbarkonin
mijëra skllevër zezakë, pothuajse të gjithë të rinj, që plakeshin e vdisnin shpejt,
për shkak të punës së rëndë e të keqtrajtimeve. Pjetër Klaveri hyri në botën e tyre
e provoi ç’do të thotë vuajtje e dëshpërim. Kuptoi se Zoti e thërriste për t’u shërbyer
pikërisht këtyre njerëzve shpresëhumbur. Nisi jo vetëm të jetonte pranë tyre,
t’i ushqente, t’i mjekonte e, sidomos, t’i respektonte, por edhe të luftonte për ta,
për t’ua kthyer rishtas dinjitetin, pa të cilin nuk mund t’u fliste për Hyjin e për
dashurinë e tij. Mësoi gjuhën angoleze, që e flisnin shumë prej tyre, e krijoi një
grup përkthyesish, për t’u marrë vesh me të tjerët, që vinin nga vende të ndryshme
të Kontinentit të zi. Por zezakët nisen ta kuptonin edhe pa pasur nevojë për fjalë,
sepse ai jetonte si të ishte skllavi më fatkeq: mjaftonte ta shikoje në sy, për t’i
besuar këtij njeriu, që dinte të lexonte shpirtrat. U sëmur nga kolera, sëmundje
të cilën e mbarti me duresën e skllevërve, duke iu nënshtruar plotësisht vullnetit
të Zotit. Vdiq 74 vjeç e u shpall shenjt më 1888, njëherësh me Alfonsin Rodriguez,
portierin e Majorkës. ******* "Pjetër Klaver:
prania e Zotit pranë skllevërve". Mbi skelën e portit të Kartagjenës, qytet
i Kolumbisë së sotme, një meshtar pret anijen që duhet të vijë nga Afrika e largët,
nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik. Atë Pjetër Klaveri e shkëput për një çast vështrimin
nga horizonti, për të soditur portin, ku një mori anijesh ngarkojnë e shkarkojnë pasuri
të mëdha: pëlhura të kushtueshme, ar, erëza e kakao: të gjitha këto ngarkesa janë
burim i pashtershëm parash. Pjetri psherëtin e i dridhet zemra, në sa vijon të
presë me padurim anijen. Edhe ajo mbart një mall që kushton shumë, për fat të keq…
Hambari i anijes është përplot me burra, gra e fëmijë, të flakur aty si kafshët. Mbarten
nga Afrika, për t’u shitur në Amerikë. Pjetri rri aty e pret, sa herë merr vesh se
do të vijë një anije me mall të tillë. Kur hyri ndër Jezuitë, e dinte tashmë se ç’do
të bënte me jetën e vet: i kishte premtuar Zotit të bëhej skllav i skllevërve. Jemi
në fillimet e shekullit XVII e as të krishterët më vullnetmirë nuk ia dalin dot t’i
japin fund skllavërisë. Mbretëresha e Spanjës dhe Papa e ndaluan kthimin e indianëve
të Amerikës në skllevër… por si rezultat, tregtarët e skllevërve ndërruan vend. U
nisën për t’i kërkuar skllevërit në Afrikë. E vetmja gjë që mund të bëhet tani
për tani, është të ndihmohen këta njerëz kaq të pafat. Pas pak, kur anija e ngarkuar
me zezakë ankorohet, Pjetër Klaveri ngjitet në bord. Zbret në hambar, ku takon njerëz
të tmerruar, me sëmundje ngjitëse, e nuhat një erë të tmerrshme kufome: gjysma e skllevërve
kanë vdekur gjatë shtegtimit. Pjetri shkon t’u çojë të gjallëve një fjalë ngushëllimi.
Për ta është hera e parë që një i bardhë i trajton si njerëz. Pastaj i mjekon, para
se të shiten... Me ndihmën e disa zezakëve, që flasin gjuhët e ndryshme të Afrikës
(ai di vetëm frëngjishten) i ushqen e i shëron. U flet për Krishtin, që erdhi të shpëtojë
botën. U tregon se para syve të Zotit nuk as skllav, as zotëri, por të gjithë njerëzit
janë njëlloj bij të Hyjit. Shumë nga skllevërit bëhen të krishterë, kur mësojnë se
Zoti e respekton dinjitetin e tyre si njerëz. Për ndihmën që u dha qindra mijëra skllevërve,
në shekullin XIX Kisha e shpalli Pjetër Klaverin Shenjt dhe Pajtor të të gjithë njerëzve,
që ua predikojnë Ungjillin afrikanëve.