2011-09-09 15:40:11

Kardinal Ravazi në Festivalin Muzikor në Umbria: muzika të frymëzohet sërish nga feja për të krijuar kryevepra si në të kaluarën


Fillon nesër në Perugjia të Italisë Festivali i 66-të Muzikor i Umbrias, një nga më të lashtët e muzikës kishtare e klasike, që këtë vit ka si temë “Nga bota e vjetër në të renë”. Përurimi i festivalit i takon Kuvendit “Muzika dhe feja”, ku do të marrin pjesë disa nga kompozitorët dhe instrumentistët më të njohur italianë e ndërkombëtarë. Qëllimi është të reflektohet mbi marrëdhëniet ndërmjet muzikës bashkohore dhe formave të liturgjisë, për t’i dhënë frymë të re atij raporti, që në të kaluarën ka nxjerrë në dritë kryevepra të pavdekshme. Pjesëmarrësit do të përshkojnë një rrugë, që çon nga misionet e jezuitëve në Amerikën e Jugut, në vitet ‘600, në të cilat u përdor jashtëzakonisht muzika e deri në Nju Jorkun e viteve ‘900, me Leonard Bernshtajnin, autorin e “West Side Story”. Për marrëdhëniet, që lidhin muzikën me fenë, i drejtuam mikrofonin kryetarit të Këshillit Papnor të Kulturës, kardinalit Gjanfranko Ravazi, i cili nesër do të hapë punimet e Kuvendit në Perugjia:
Marrëdhëniet ndërmjet muzikës dhe fesë kanë pas vetes një traditë të jashtëzakonshme, që ka prodhuar një numër shumë të madh kryeveprash. Për dy mijëvjeçarë, muzika e feja janë ndërthurur gjithnjë mes tyre: mendoni për shembull, për Psalterin, për Meshët, për këngët gregoriane, për himnet e kështu me radhë… Por, këto marrëdhënie janë prishur disi, pasi nganjëherë, kompozimet kishtare të sotme nuk janë në nivelin e duhur. Nga ana tjetër, muzika tashmë është drejtuar në shtigje krejtësisht larg çdo dialogu me fenë. Është e rëndësishme ta ringjallim këtë lidhje të thellë, që i bashkon këto dy “motra”.
Sipas jush, cili është niveli i sotëm i muzikës liturgjike?
Mendoj se duhen marrë parasysh tri nivele të ndryshme. Niveli i parë është pa dyshim ai i muzikës shpirtërore të mirëfilltë: kështu është krejt muzika me rëndësi, por edhe muzika e të rinjve të sotëm përmban në vetvete tensione të tipit shpirtëror. Të mendojmë, për shembull, për disa autorë si italiani De André; apo Leonard Kohen në SHBA-të, që shpesh frymëzohet nga trashëgimia biblike; ose edhe italianë të tjerë si Vekioni, Baljoni apo Batiato. Janë autorë, që megjithëse i përkasin një horizonti – të themi – jashtë Kishës, kanë një muzikë shpirtërore të tyren. Ekziston pastaj një nivel tjetër, që është ai i muzikës kishtare, asaj më solemnes, që mund të përdoret edhe nëpër koncerte, siç ndodhte në të kaluarën e siç ndodh edhe sot. Kjo muzikë e ka bazën mbi tekstet ose temat biblike e me gjuhën e re muzikore, mund të krijojë vepra të reja. Niveli i tretë, më delikati e më i ndërlikuari, është ai liturgjik. Nga njëra anë, duhet ta shfrytëzojmë gjithnjë mundësinë për të dëgjuar muzikë nga trashëgimia e pasur e së kaluarës, por, nga ana tjetër, duhet të arrijmë të krijojmë forma të reja, që të mos jenë me cilësi të ulët. Kemi nevojë për kompozime, të cilat e kanë parasysh ritin, kultin dhe formën e tij të shprehjes, por që sjellin edhe risi, duke përdorur gramatikën e re të muzikës bashkohore.







All the contents on this site are copyrighted ©.