Ipeshkvijtë gjermanë paraqesin vizitën e Papës në Gjermani
Ipeshkvijtë gjermanë paraqitën në Berlin udhëtimin e ardhshëm të Papës në Gjermani,
që do të bëhet nga data 22 deri më 25 shtator. Kryeipeshkvi i Friburgut, imzot Robert
Xolliç, i cili është edhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, nënvizoi se
vizita e Benediktit XVI do të inkurajojë e do të përforcojë në fe bashkësinë katolike,
në një çast jo të lehtë. Përsa i përket protestave, që parashikohen gjatë fjalimit
të Papës në parlamentin federal, më 22 shtator, disa deputetë kanë njoftuar se në
atë rast, do të largohen nga salla. Kryipeshkvi i Berlinit, imzot Rainer Maria Velki
vuri në dukje se Kisha nuk shqetësohet për këto nisma, pasi në një vend demokratik,
secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, por theksoi se para se të bëhen kritika,
do të ishte mirë të dëgjohej fjala e Papës. Kostoja e vizitës së Papës në Gjermani,
prej rreth 30 milion eurosh, do të përballohet nga Kisha Katolike e vendit. Shteti
do të merret vetëm me masat e sigurisë. Në aktivitetet e ndryshme të atyre ditëve,
deri tani, janë regjistruar 250 mijë vetë: 70 mijë do të marrin pjesë në Meshën e
Stadiumit Olimpik të Berlinit, në program në orën 18.30 të 22 shtatorit. Në atë rast,
do të krijohet “Fondi-Benedikt për Afrikën Lindore”, në ndihmë të popullsive të Bririt
të Afrikës.