Bibla është burim i jetës shpirtërore për besimtarët katolikë e ortodoksë
Të vësh në dritë njësinë thelbësore ndërmjet Shkrimit të Shenjtë (Biblës), ekzegjezës
dhe jetës shpirtërore, unitet që përshkon tërë traditën e Kishës së Lindjes, megjithëse
në forma të ndryshme në krahasim me Perëndimin. Ky është synimi i Simpoziumit të XIX
Ekumenik Ndërkombëtar të spiritualitetit ortodoksë, organizuar nga Manastiri i Bose-së
që përqendrohet mbi temën “Fjala e Zotit në jetën shpirtërore”. Duke folur në këtë
simpozium, punimet e të cilit përfundojnë nesër, kardinali Angelo Sodano, dekan i
kolegjit kardinalor të Vatikanit, pohoi se dialogu ekumenik është çështje “me rëndësi
tejet të madhe” për Kishën katolike dhe për atë ortodokse. Si për katolikët e po kështu
edhe për ortodoksit Bibla është burimi i jetës shpirtërore për besimtarët, edhe pse
tradita kishtare lindore e ajo perëndimore kanë mënyra të veta përkatëse të leximit
të Fjalës së Zotit që ndryshojnë njëra nga tjera. Sipas eprorit të Bashkësisë murgare
Bose-s, Enzo Binachi, në perëndim afrimi ndaj Fjalës Hyjnore e këndej edhe leximi
i Biblës, natyrisht përveç liturgjisë Eukaristike, pra Meshës, zakonisht është ai
i ‘Lectio divina’, që bëhet përmes dëgjimit e meditimit të Fjalës së Zotit, që përmbahet
në një tekst, por duke përshkuar udhët më intelektuale. Në Kishën ortodokse afrimi
ndaj Fjalës së Zotit ka qenë gjithmonë liturgjik, e prandaj është pikërisht në liturgji
që ortodoksit e dëgjojnë Fjalën e Zotit, e dëgjojnë Biblën. Në Perëndim lutjet tona
në vetvete janë më biblike se të tyre sepse ortodoksit kanë një sërë kompozimesh kishtare
të kohës së etërve të Kishës; thjeshtësia e liturgjisë latine në anën tjetër i referohet
vazhdimisht psalmeve e këngëve të Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Gjithsesi përdorimi
liturgjik që kanë të krishterët lindorë mund të jetë një mësim i madh edhe për ne
perëndimoret: sot ekziston nevoja e një leximi liturgjik, një ekzegjezë liturgjike
të Fjalës së Hyjit.