2011-09-08 12:34:49

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’kuptim ka "Dita e Zotit"


Të dashur dëgjues, shpesh në Kishë dëgjojmë të flitet për ditën e Gjykimit të Mbramë, apo ”Ditën e Zotit”. Pikërisht për këtë do të flasim në emisionin e sotëm, duke u përpjekur të shpjegojmë, me fjalët e Biblës, se ç’do të thotë për të krishterët e ç’kuptim ka ”Dita e Zotit”.
Në shekullin VIII para Krishtit, profeti Amos e përshkruan me fjalë të gjalla e të ashpra ”Ditën e Zotit”. Në kapitullin e pestë të librit të tij thuhet: ”Vaj për ata që dëshirojnë Ditën e Zotit! Çfarë do të jetë për ju Dita e Zotit? Errësirë do të jetë e jo dritë. Do të jetë si për atë që i ikën luanit e has në arushë, hyn në shtëpi, mbështetet me dorë mbi mur dhe e ha gjarpri!” (5,18-20).
Shihet qartë se Amosi profet nënvizon aspektin e gjykimit, që do të bëhet në atë ditë: Zoti do të vërsulet mbi të keqen e botës e askush nuk do të mundë ta ndalë. Askush nuk do të mund as t’i ikë gjykimit të Tij, njësoj si ai, që kujton se duke i shpëtuar luanit e pastaj arushës, ka shpëtuar përgjithmonë, por pa e pritur aspak, gjen gjarpërin në shtëpi, i cili e helmon. Ndërhyrja e Zotit shihet këtu nga pikpamja e viktimave të historisë, të cilët presin që Hyji të vendosë drejtësinë. Në atë ditë, siç thotë Isaia profet, ”sytë krenarë të njeriut do të përvujtërohen, do të kërruset madhështia e njerëzve: atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti” (Is 2,11).
Shpesh, profetët e përshkruajnë ”Ditën e Zotit” me një skenografi kozmike, ku zhduken yjet, fillojnë katastrofat, eklipset e Diellit e të Hënës. Sofonia thotë: ”Ditë zemërimi ajo ditë, ditë travaji e ngushtice! Ditë shkretimi e shkatërrimi, ditë errësire dhe terri! Ditë mjegulle dhe thellimi! Ditë borie e kushtrimi” (1,15-16). Mbi bazën e këtyre fjalëve u kompozua himni i mirënjohur ”Dies irae” (Zemërimi i Zotit) e sa herë që përdoret kjo shprehje, njerëzit e kuptojnë se ka ardhur dita për të dhënë llogari, dita e fundit. Në këtë mënyrë, Zoti konsiderohet si Hyj moral, që e dënon të keqen. Kjo ide mbizotëron në Besëlidhjen e Vjetër dhe është e lidhur shpesh me ngjarjet historike nëpër të cilat ka kaluar Izraeli, sidomos me shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 586 para Krishtit.
Por ideja përsëritet edhe në Besëlidhjen e Re, ku përvijohet ”dita e Birit të njeriut” (Lk 17,30), pra çasti, në të cilin Krishti do të duket me petkun e gjykatësit. Në atë ”ditë të Zotit”, edhe ajo e karakterizuar nga një koreografi kozmike (2 Pjt 3,12), të krishterët duhet të jenë gati të rreshtohen me Hyjin në luftë kundër së keqes, siç sugjerojnë shpesh Letrat e shën Palit Apostull e Libri i Zbulesës. Praktikisht, ”dita e Jezu Krishtit” përkon me paruzinë, pra me ardhjen përfundimtare të Krishtit në mbyllje të historisë, me ”ditën e madhe e Zotit të gjithpushtetshëm” (Zb 16,14).
Por përveç aspekteve të luftës kundër së keqes e të gjykimit të Hyjit, qysh në Besëlidhjen e Vjetër, përvijohet edhe aspekti pozitiv i ”Ditës së Zotit”, ai i shëlbimit universal. Vetë Isaia profet, që më parë përshkruante me mjeshtëri furinë hyjnore, më vonë shkruan: ”Atë ditë…Zoti i ushtrive do të thotë: ’Qoftë bekuar populli im Egjipti, edhe vepra e duarve të mia, Asiri, dhe trashëgimi im, Izraeli’” (Is 19,24-25). E pikërisht në këtë dritë, pra duke marrë në konsideratë aspektin pozitiv të fjalës, si shëlbim hyjnor, ”Dita e Zotit” për të krishterët do të bëhet e diela, kohë për të festuar ringjalljen e Krishtit dhe shpresën për shëlbim (Zb 1,10).







All the contents on this site are copyrighted ©.