2011-09-08 17:47:39

Vollfarth: Mungesa e opozitës në Kuvend të Tiranës pengoi vazhdimin e reformave


Në raportin që kryetari i prezencës së OSBE së në Shqipëri, Eugen Vollfarth, mbajti sot para Këshillit të Përhershëm të OSBE së, nuk i ka kursyer kritikat ndaj opozitës në Shqipëri. Që në fillim të fjalimit, kreu i OSBE tha se "ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë". Dhe duke u ndalur në ato që z.Uollfarth i quan ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë, edhe ai i Kuvendit të Tiranës, vazhdon, "duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS) e Shqipërisë, çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë". Më tej në raport, kreu i OSBE shton: "Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër". Në raport thuhet se mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat. Partia Socialiste, si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore, thotë Uollfarth.







All the contents on this site are copyrighted ©.