2011-09-08 16:56:29

Shqipëria e Izraeli zgjerojnë bashkëpunimin në bujqësi


Kryeministri Shqipërisë dr. Sali Berisha priti sot në një takim në Tiranë Ministren e Bujqësisë së Izraelit, znj. Orit Noked
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e ministres izraelite si një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministrja e Bujqësisë së Izraelit, znj Noked, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Izraelit, z. Benjamin Netanjahu.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe qeverive, si dhe u konfirmua vullneti i të dy palëve për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të të dy popujve miq.
Në këtë kontekst, fusha si ajo e bujqësisë dhe infrastrukturave moderne të lidhura me të si ajo e ujitjes, por edhe kërkimi shkencor dhe fusha e zhvillimit teknologjik, veçanërisht për sa i përket sektorit bujqësor, nxitja e investitorëve izraelit për të investuar në Shqipëri, fusha e arsimit, etj. u identifikuan si fusha me shumë interes për bashkëpunimin mes dy vendeve në të ardhmen.
Ministrja e Bujqësisë së Izraelit, znj Noked, i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin dhe konsideratat që ai gëzon në Izrael, si dhe u shpreh se Kryeministri Netanjah dhe qeveria e Izraelit presin me kënaqësi së shpejti një vizitë të Kryeministrit Berisha në këtë vend.
Pas kryeministrit, Ministrja e Izraelit Ministren e Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural, Orit Noked takoi edhe zv.kryeministrin dhe ministrin epunëve të Jashtme, Haxhinasto me të cilin foli nevojën e ndërmarrjes së hapave konkretë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.
Gjatë takimit të zhvilluar sot në Tiranë me ministren Noked, e cila ndodhet për një vizitë pune dyditore në vendin tonë, ministri Haxhinasto vlerësoi lart nivelin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Ai theksoi se intensiteti i shkëmbimit të vizitave të niveleve të larta ndërmjet dy vendeve, duhet të reflektohet në hapa konkretë bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, bujqësisë, turizmit, si dhe në përfitimin e eksperiencës izraelite në zhvillimin e teknologjisë dhe mirëmenaxhimin e të gjitha burimeve natyrore.
Nga ana e saj, Ministrja Noked u shpreh e gatshme të ofrojë eksperiencën izraelite në fushën e agrobiznesit për fermerët shqiptarë dhe të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë në fushën e agrikulturës.
Në lidhje me qëndrimin e Republikës së Shqipërisë për rezolutën e Palestinës në Asamblenë Parlamentare të OKB-së, Ministri Haxhinasto u shpreh se 'mbështesim zgjidhjen me dy shtete dhe çdo iniciativë që çon përpara procesin e paqes'.







All the contents on this site are copyrighted ©.