2011-09-08 14:55:28

Falenderimi i Papës për ipeshkvijtë indianë: me shumë vepra shoqërore e me burra e gra heroike, punoni për të mirën e krejt shoqërisë


Sot paradite, Papa Benedikti XVI priti në audiencë ipeshkvijtë katolikë latinë të Indisë, të cilët ndodhen në Vatikan në vizitë “ad Limina Apostolorum”. Gjatë takimit, Ati i Shenjtë përmendi veprimtaritë e shumta të Kishës, duke filluar nga famullitë, për të vazhduar me shkollat, jetimoret, spitalet e qendrat për shpërndarjen e ushqimeve e të gjërave të nevojshme për të varfërit. Ky është bekim për Kishën, theksoi Papa, është shprehje e dashurisë së Zotit për njerëzimit, përmes bamirësisë dhe shembullit të klerit, të rregulltarëve e të besimtarëve laikë. Benedikti XVI i falenderoi ipeshkvijtë indianë për impenjimin e tyre jo vetëm në favor të katolikëve, por edhe në ndihmë të të gjithë popullit, sidomos në fushën e edukimit të rinisë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të begatë:RealAudioMP3
“I encourage you to continue to pay close attention…”
“Ju inkurajoj – u tha Papa ipeshkvijve – të vazhdoni t’i kushtoni kujdesin më të madh cilësisë së edukimit në shkollat e dioqezave tuaja, për t’u siguruar se janë vërtet katolike e si rrjedhojë, në gjendje të përçojnë ato të vërteta e ato vlera, të nevojshme për shpëtimin e shpirtrave e për zhvillimin e shoqërisë”.
Papa iu referua më pas atyre të krishterëve, që dëshmojnë Krishtin në shoqëri, pavarësisht nga persekutimi. Kujtojmë se në Indi, akoma ka sulme kundër bashkësisë së krishterë nga fondamentalistët hinduistë. Këta besimtarë, nënvizoi Benedikti XVI, janë heronj të panjohur, që i japin limfën jetësore Kishës në Indi.








All the contents on this site are copyrighted ©.