Më 7 shtator kalendari përkujton shën Regjinën e Alizesë, virgjër e martire.
Për Shën Regjinën (emër që në gjuhën frënge Reine ka kuptimin mbretëreshë) kemi pak
lajme. I mësojmë nga një dëshmitar, i cili pohon se e ka parë gjithçka me sytë e vet. Shenjtorja
lindi e jetoi në Alize (Gali), pranë Otunit, në shekullin III. E ëma i vdiq në sa
po e lindte. Si u rrit, iu kushtua Krishtit dhe jetoi sipas mësimeve të Tij. Dihet
se i ati, Olibri, pagan, si u mundua më kot ta bindte të hiqte dorë nga feja e krishterë,
pa ia arritur qëllimit, e burgosi e pastaj ia preu kokën. Prej këndej kuptojmë se
ishte sundimtar i Galisë së shekullit III. Vajza u martirizua në Alize, vend ku
komandanti i galëve, Verçingjetorigje u burgos nga komandanti romak, Jul Cesari. Regjina,
ndonëse ende e njomë, pranoi tmerret e martirizimit, e sigurt për atë që e priste.
Vajza zgjodhi këtë përfundim të jetës së saj tokësore, duke e ditur se po i hapej
përpara rruga që e çonte drejt një jete më të mirë. Mbretëresha ishte e sigurt se
do t’i jepej një mbretëri shumë më e shkëlqyer, një mbretëri e amshuar. Në kundërshtim
me lajmet e pakta për jetën e saj, kulti i Shën Regjinës pati një përhapje të jashtëzakonshme,
sidomos në Francë, në Borgonjë, në Alize, në Flavinji e në Osnabryk të Gjermanisë.
Në shekullin XVII dy qytetet e fundit nisen të grinden, sepse secili prej tyre pohonte
se kishte reliket e martires. Grindjes i dha fund ipeshkvi i Otynit, i cili më 1693
i autorizoi të dy qytetet t’i ekspozonin reliket e Shenjtores. Është e qartë se
Regjina nderohej në Alezia që para vitit 628 e se në vitin 750 në këtë vend lartohej
një bazilikë ku thuhej se ruheshin reliket e saj. E pranë bazilikës ishte edhe një
kuvend kushtuar Shenjtores. Në vitin 854 reliket u mbartën në Flavinji, ku ruhen ende
edhe zinxhirët me të cilët qe lidhur kur ishte e burgosur. Kisha kushtuar shenjtores
u ngritën pak nga pak kudo. Në shekullin XVII kulti i saj arriti edhe në Paris, ku
më 1604, pranë Kishës së Shën Eustakut, u themelua një bashkëvëllazëri me emrin e
saj: ‘Saint Reine’. Në art paraqitet me palmën tradicionale të martirizimit, me
sëpatën që u përdor për t’i prerë kokën dhe me zinxhirët e burgut. Festa e saj
që në lashtësi kremtohet më 7 shtator, datë që shënohet edhe sot e kësaj dite në të
gjithë kalendarët.