2011-09-06 14:03:31

Në Shën Pjetër në Vatikan Mesha e dritës për kardinalin Deskur. Në vitin 1978 Papa Wojtila i tha: “lutu për misionin tim”.


Sot paradite në ora 11.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, u kremtua Mesha e dritës e ceremonia e varrimit të kardinalit polak Andrzej Maria Deskur, që ndërroi jetë të shtunën e kaluar në Romë në moshën 87 vjeçare. Ritin e shenjtë e kryesoi kardinali dekan Angelo Sodano, pranë Elterit të Katedrës. Një jetë ajo e kardinalit të ndjerë Deskur, njëri ndër “bijtë më të shquar e të ndritur” të bashkësisë dioqezane të Krakovisë, “shpenzuar në aderimin e ndershëm e bujar ndaj thirrjes” së shenjtë meshtarake, ka nënvizuar Benedikti XVI në mesazhin e tij të ngushëllimit. I thirrur në Romë, në fillim të viteve 1950, teolog konciliar, i përkushtuar studimit të mjeteve moderne të komunikimit, kardinali Deskur në moshën 54 vjeçare u godit nga një sëmundje e rëndë e cila e paralizoi për tërë jetën.
Për 33 vjet rob i trupi i tij, kardinali Deskur, qe paralizuar në ditën e Konklavës që shënoi zgjedhjen në selinë papnore të kryeipeshkvit të atëhershëm të Krakovisë, Karol Wojtila, shokë i tij i seminarit dhe mik i madh për tërë jetën. Mbi figurën e tij intelektuale e morale dhe “zellin e përshpirtërinë shembullore” të kardinalit Deskur – siç e kujtoi dje Papa Benedikti XVI – “që diti ta pranonte sëmundjen me shpirtin ungjillor”, flasim me ipeshkvin Pierfranco Pastore, i cili kardinalin njohu thellë dhe bashkëpunoi me kardinalin e ndjerë Deskur, në atë fushë në të cilën Kisha ka qenë profetike për shumë arsye, atë të komunikimeve shoqërore.

Imzot Pastore, cila është trashëgimia më e madhe që la pas Andrej Deskur?
Dua të them që misioni i tij qe shënuar e karakterizuar që nga momenti i zgjedhjes së Gjon Palit II në selinë Papnore, për fjalët që Papa ia tha kur shkoi për ta takuar një ditë pas zgjedhjes së tij si Papë në spitalin romak “Gemelli”, ku kardinali ishte i shtruar. Papa i tha: “Ja, misioni yt tani, është mirë i vulosur: ti me vuajtjen tënde do të lutesh për Papën e ri dhe për Kishën”. Besoj se ky ka qenë misioni i tij më i madh, ai më i vërtetë.
Besoj se kardinali Deskur ka dhënë shumë për të mirën e Kishës, jo aq e jo vetëm kur ishte president i Komisionit të atëhershëm Papnor për Komunikimet Shoqërore – që më vonë u bë Këshilli Papnor – sa për vlerën e vuajtjes së tij, të cilën ia ofroi Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur me bujari të madhe e thjeshtësi për Papën dhe Kishën.

Cilat qenë idetë e tij të reja në ato vite të flakta mbi argumentet e reja mbi të cilat debatohej edhe në shoqërinë civile?
Ai qe protagonist – por jo vetëm ai, sepse punonim shumë persona së bashku – i dokumentit që ishte e sipas meje është edhe sot themelor për apostullimin apo veprimtarinë e komunikimeve shoqërore në Kishë. E kam fjalën për dokumentin Communio et progressio. Mendoj se rileximi i atij dokumenti do të thotë të shohësh cilën shenjë e gjurmë ka lënë kardinali Deskur nga aktiviteti i tij, nga inteligjenca e tij e madhësia e tij morale Kishës të gjitha kohërave.







All the contents on this site are copyrighted ©.