2011-09-06 16:09:16

Lindja e Mesme: thirrje e Patriarkateve ortodokse për krerët politikë e fetarë


“U bëjmë thirrje krerëve politikë e fetarë të Lindjes së Mesme e të botës mbarë, që të impenjohen në favor të bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimtarëve të traditave të ndryshme fetare, duke u shprehur solidaritetin tonë të gjithë atyre, që janë viktima të diskriminimit, dhunës e persekutimit”. Kështu përfundon mesazhi i fuqishëm për pajtimin ndërmjet popujve të Lindjes së Mesme, nënshkruar nga Patrikët e Patriarkateve më të lashta ortodokse, të Aleksandrisë, Antiokisë dhe Jeruzalemit, si edhe nga Kisha e Qipros, në mbyllje të takimit të tyre në Stamboll, organizuar nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës. Në qendër të takimit, gjendja e të krishterëve në Lindje dhe e ardhmja e tyre, pas ngjarjeve politike në zonë, që ndikojnë edhe në jetën e besimtarëve.
Në mesazh, Patrikët kujtojnë rrënjët e thella të Kishës së Krishtit në Lindjen e Mesme, që fatkeqësisht, nuk i shpëtojnë të krishterët nga trajtimi si qytetarë të kategorisë së dytë. Vendet e tyre të kultit, shkruajnë ata, dhunohen ose shkatërrohen, veprimtaria fetare dhe edukative kufizohet. E sikur të mos mjaftonte kjo, grupe fetare ekstremiste vazhdojnë sulmet dhe përgjakjet kundër të krishterëve. “Kisha – përfundojnë Patrikët ortodoksë – nuk mund të qëndrojë indiferente para këtyre problemeve, sidomos kur ato venë në rrezik dinjitetin dhe lirinë e personave, si imazh i Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.