2011-09-06 20:17:26

Delegat Apostolik për Kosovë imzot Janosz: Falë personaliteteve si Nënë Tereza, Gjon Pali II e Presidenti Rugova, bota mund të bëhet më e mirë.


Homelia e Delegatit Apostolik për Kosovën, Nuncit Apostolik kryeipeshkvit imzot Juliusz Janosz gjatë kremtimi të Meshës së Shenjtë në festën liturgjike të së Lumes Nënës Terezë në Kishën Katedrale të Prishtinës në Kosovës më 5 shator 2011.

"Kosova, edhe pse është një realitet i ri politikë, nuk është tokë e askujt, nuk është një popull pa origjinë, pa traditë, pa vlera. Toka e juaj është e shënuar nga qytetërimi i krishterë, i cili i ka përballuar të gjitha ndodhitë historike..."
"Falë personaliteteve si Nënë Tereza, Gjon Pali II e Presidenti Rugova, bota mund të bëhet më e mirë..."


Fort i nderuari zotëri Ipeshkëv, të përndritshme autoritete civile, të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, të dashur besimtarë,
me vullnetin e Shenjtit Atë Papë Benedikti XVI jam zgjedhur Delegat Apostolik në këtë Vend i cili ka synime të mëdha dhe dëshiron ndërtimin e një të ardhmeje të cilën populli e ka në zemër. Delegati Apostolik ka për detyrë kryesore përcjelljen e jetës së Kishës Katolike në mënyrë që lidhjet me Selinë Apostolike, Shenjtin Atë Papë në veçanti, dhe me Kishën e përgjithshme, të jenë të forta dhe gjithnjë më të thella. Sigurisht se jam këtu edhe për ta njohur gjendjen reale të shoqërisë, të strukturave shtetërore dhe të feve tjera. Gjatë dy ditëve të vizitës time këtu, kam parë një Kishë të gjallë dhe të nderuar.
Kisha Katolike në Kosovë është një realitet që ka prejardhje nga shekujt e parë të krishterimit. Në këtë tokë kanë jetuar dhe kanë dhënë dëshmi Shën Flori dhe Lauri; relikevet e Shën Florit ndodhën edhe në atdheun tim në Poloni, saktësisht në qytetin e Krakovës, nga i cili ka ardhur Papa i madh, i Lumi Gjon Pali II. Edhe unë jam biri i kësaj kryeipeshkvie, biri shpirtëror i të Lumit Gjon Pali II, i cili më ka shuguruar meshtar në vitin 1967.
Polonia, si edhe Kosova, është tokë e martirëve dhe heronjve të cilët iu kanë kundërshtuar sundimeve të të huajve dhe e kanë paguar shtrenjtë pavarësinë e tyre. Mu për këtë nuk duhet t’na befasojë së Papa Gjon Pali II e ka nderuar shumë bijën e kësaj toke, të Lumen Nënën Terezë të Kalkutës. Të dytë në jetën e tyre e kanë zbatuar urdhrin e dashurisë ndaj Zotit dhe të afërmit. Ata e kanë ndjekur rrugën e Jezu Krishtit i cili në Ungjillin e sotshëm në fjalimin e famshëm të Malit mbi Lumturitë thotë:
Lum të varfrit në shpirt, lum të përvuajturit, lum ata që vuajnë dhe janë të përndjekur për Mbretërinë e Hyjit, lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
I Lumi Gjon Pali II dhe e Lumja Nëna Terezë mund të themi se me sjelljen e tyre kanë kënduar himnin e dashurisë të shkruar nga Apostulli i Popujve, Shën Pali, që e kemi dëgjuar në leximin e parë nga Letra e parë drejtuar Korintianëve. Për ata Ungjilli si dhe e tërë Bibla, nuk ishin vetëm fjalë, ose ideologji për ta ndjekur. Dashuria për ata ishte takim me Personin e gjallë, me Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës.
Ipeshkvi i Regensburgut duke e komentuar librin e Papës Benedikti XVI “Jezusi i Nazaretit” ka shkruar për Papën e sotshëm që Bibla nuk është një takim me fjalët, por me Personin. Sepse, siç na mëson Shën Gjoni Ungjilltar, Fjala, Fjala e Zotit është bërë Njeri dhe ka banuar ndër ne. Krishterimi nuk është një fe e librit, por një takim me Zotin e gjallë. Dhe dashuria e Zotit nuk është zbuluar vetëm nëpërmjet ardhjes së Birit të Zotit të bërë Njeri, por na zbulohet sot me praninë e Zotërisë në Sakramente, sidomos në Sakramentin e Dashurisë, në Eukaristi, ku Jezusi gjatë meshës së shenjtë zbret mbi tokë, na dhurohet si ushqim dhe mbetet në heshtje në Tabernakull natë e ditë. Me flijimin e Birit të Zotit, Jezu Krishtit, i tërë njerëzimi e ka gjetur rrugën e kthimit kah Ati, e ka gjetur parajsën e humbur dhe ftohet që të jetë pjesëmarrës i jetës hyjnore qysh tash në këtë botë e pastaj për tërë amshimin. Zoti aq shumë e ka dashur njerëzimin sa që e ka dërguar Birin e tij për t’na shpëtuar nga fatkeqësia e mëkatit dhe për t’na hapur horizonte të reja. Falë mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, njerëzimit iu ka kthye shpresa. Bota e sotme, e cila vuan nga luftërat, mungesa e vlerave të përgjithshme, egoizmi, kriza financiare, ka nevojë për këtë Shpresë, të cilën shoqëria do ta shkatërrojë në emër të njëfarë modernizmi.
Kosova, edhe pse është një realitet i ri politikë, nuk është toka e askujt, nuk është një popull pa origjinë, pa traditë, pa vlera. Toka e juaj është e shënuar nga qytetërimi i krishterë, i cili i ka përballuar të gjitha ndodhitë historike.
Në mesin tuaj ka njerëz të cilët e kanë përjetuar kohën e errët të komunizmit, kur vetëm ndonjë shenjë e kryqit mund të ishte shkaku i burgimit apo humbjes së punës. Duke folur me Ipeshkvin tuaj dhe me klerin, kam dëgjuar një histori vërtet prekëse. Një ditë policia në Shqipëri kishte ardhur në një shtëpi ku njerëzit i ruanin disa figure të shenjta të Jezusit, të Marisë dhe të Shenjtërve. Pasi i kishin mbledhur të gjitha, një plakë i kishte thënë policit: keni harruar një gjë të shenjtë. Ai i befasuar nga ky pohim, kishte pyetur se ku gjendej kjo gjë e shenjtë. Atëherë ajo grua plakë e kishte bërë shenjën e kryqit dhe kishte pas thënë kështu: Këtë shenjtë të fesë time kurrë nuk mund t’ma merrni! Çfarë guximi dhe dëshmie të fesë?
Kjo gjë ma përkujton një ngjarje që e kam përjetuar në Poloni në gusht të vitit 1966. Episkopati polak kishte organizuar shtegtimin e kopjes së figurës së “Zojës së Zezë” të Çestakovës. Kjo figure e Mbretëreshës së Polonisë bartej prej një ipeshkvie në një tjetër, prej një famullie në një tjetër. Kuptohet se kjo nisje zgjati shumë vite, sepse Polonia ka 49 ipeshkvij dhe me mijëra famulli që përfshihen në 38 milion katolikë polakë. Komunistët nuk dinin se si ta ndalonin këtë përshpirtëri dhe së fundi, kishin vendosur ta ndalonin bartjen e kësaj figure të Zojës. Pra, disi e kishin burgosur figurën e Zojës. Mirëpo fantazia e besimtarëve e kishte gjetur zgjidhjen. Pasi nuk mund ta bartnin më figurën e saj, kishin filluar t’i bartnin vetëm kornizat e kësaj figure. Pasi këtë s’mund ta ndalonin, kështu kishte vazhduar shtegtimi i Zojës nëpër Poloni, kuptohet, pa figure. Para kornizave bartej Qiriu i madh i Pashkëve, simboli i Krishtit të ngjallur dhe i fesë tonë. Isha në përgatitje të kremtimeve kur këto korniza kishin arritur në famullinë tonë dhe këtë e kishte përshëndetur Karol Wojtyla, papa i ardhshëm.
Të dashur kosovarë, në këtë kohë moderne, ku të gjithë duan ta fitojnë simpatinë e popullit për t’i shitur prodhimet e tyre, për t’i tërhequr me programe televizive, kur biznesmenët e përdorin fantazinë për t’na mashtruar, falë Zotit gëzojmë lirinë fetare dhe askush nuk na pengon në përdorimin e fantazisë për ta paraqitur fenë tonë, për t’ua dhurua atë brezave.
I Lumi Gjon Pali II ka shkruar në Nxitjen Apostolike “Tertio Millennio Ineunte” që për ta bartur fenë tonë në Mijëvjetorin e tretë duhet të shërbehemi me “fantazinë e dashurisë”. Këtë fantazi të dashurisë e ka dëshmuar e Lumja e juaj Nëna Terezë, e cila me pak mjete ka ndihmuar miliona njerëz në vuajtje, të varfër, të braktisur, të pafat, të pa dallim a ishin të krishterë apo jo. Ajo e zbatonte këtë himn të dashurisë:
Po t’i folja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri, do të isha si bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. Po ta kisha dhuratën e profecisë, e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha diturisë. Po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën do të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë. Po ta ndaja lëmoshë tërë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë. Dashuria është e durueshme, nuk ka smirë, nuk krenohet, nuk mbahet e madhe, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka...
Në këtë shoqëri shumë njerëz janë në kërkim të vlerave, në kërkim të Zotit, që lypin jetën në një familje të shëndoshë, t’i ndihmojmë ata me fantazinë e dashurisë që ta gjejnë paqen në zemrat e tyre, për ta krijuar në këta njerëz qytetërimin e dashurisë. Shoqëria civile pret nga kjo Kishë katolike dëshminë e fesë dhe të dashurisë edhe në mënyrën e pjesëmarrjes në proceset e demokratizimit, edukimit dhe zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Në këto veprimtari na thërret edhe Benedikti XVI. Po i sjell fjalët e tij drejtuar pjesëmarrësve të “Simpoziumit mbi vlerat dhe perspektivat për Evropën e së nesërmes”, të mbajtur në Romë në 2007. Mes të tjerash Ati i Shenjtë ka thënë: Ju e dini se keni detyrën të jepni kontributin për ndërtimin e një Evrope të re me ndihmën e Zotit, të njëmendtë, të mirëfilltë e jo cinike, të pasur me ideale dhe të lirë nga iluzionet e imta, e frymëzuar nga e vërteta e përjetshme dhe gjallëruese e ungjillit. Për këtë jini të pranishëm në mënyrë aktive në diskutime publike në nivelin evropian, tashmë të vetëdijshëm se kjo është pjesë integruese e elementeve kombëtare, dhe të përkrahur në këtë angazhim për aktivitet të efektshëm kulturor. Mos ju nënshtroni logjikës së pushtetit që ka vetëm këtë qëllim.

Të dashur kosovarë, falë personave si Nëna Terezë, si Gjon Pali II, si Presidenti i juaj Rugova, bota mund të bëhet më e mirë. Pyesim përse Gjon Pali II dhe Nëna Terezë kanë mund ta realizojnë urdhrin e dashurisë në mënyrë të jashtëzakonshme? Sekreti është në faktin se kur flitet për këtë urdhër harrohet figura e Jezusit: Duaje Zotin tënd mbi gjithçka dhe vëllain tënd si vetveten.
Përhapësit e dashurisë profane flasin vetëm për dashurinë njerëzore, trupore, bile edhe të shëmtuar. Mirëpo Jezusi ka nënvizuar se së pari duhet ta duam Zotin mbi gjithçka dhe pastaj do të jesh i aftë ta duash vëllain tënd. Fatkeqësisht edhe në kishë ka lëvizje të cilat duan ta theksojnë vetëm dashurinë profane, duke harruar se detyra e parë e Kishës është mësimi i njerëzve për ta dashur Zotin.
Qendroni besnikë fesë, traditave tuaja të shëndosha, Kishës, e cila iu përcjell me simpati të madhe dhe e ndihmon edhe materialisht Kishën vendore. Mund të krenoheni që ia kushtoni një katedrale kaq madhore bijës së juaj të dashur të Kosovës, Nënës Terezë. Ajo është krenaria jo vetëm e katolikëve por edhe e të gjithë kosovarëve.
Me kënaqësi u jap Bekimin e posaçëm Apostolik në emër të Shenjtit Atë Papës Benediktit XVI, i cili e tregon kujdesin për ju duke më dërguar mua si Përfaqësuesin e tij ndër ju. Dashuria bart gjithçka, është edhe motoja ime Ipeshkvnore, prandaj edhe vi këtu me zemrën e Papës, me dashurinë e tij dhe jam i sigurt se dashuria e juaj për Kishën dhe për Papën do të jetë e durueshme dhe e mirëfilltë në procesin e stabilitetit të gjendjes politike dhe kishtare. Zoti ju bekoftë!

Imzot Juliusz JANOSZ, Delegat Apostolik për Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.