2011-09-05 17:16:27

Mesha e fillimit të Kongresit Eukaristik Italian në Ankona. Kardinali Re: Eukaristia është burim drite, force e ngushëllimi


Siç e tha edhe Papa, dje në Ankona të Italisë filloi Kongresi i 25-të Eukaristik Kombëtar, i cili ka për temë “O Zot te kush do të shkojmë? Eukaristia për jetën e përditshme”. Meshën e hapjes e kremtoi i dërguari i Benediktit XVI, kardinali Xhovani Batista Re në portin e qytetit bregdetar, para mijëra besimtarëve. “Institucioni i Eukaristisë shpjegohet vetëm me dashurinë e Krishtit për ne”, theksoi kardinali gjatë homelisë. Eukaristia është “Zoti me ne, Zoti që dhuron vetveten për ne”, është thesari më i çmuar me të cilin është pasuruar Kisha:

“Eukaristia nuk është një send. Është një person i gjallë: është vetë Krishti, që bëhet ushqimi ynë shpirtëror e shok udhe në rrugën e jetës, duke na treguar drejtimin e duke na përçuar dritë, forcë, energji e ngushëllim”.

Kardinali Re, që solli në Kongres përshëndetjen e Papës, uroi edhe që java e zhvillimit të Takimit të rëndësishëm për Kishën Italiane, të jetë rasti për të gjetur në Krishtin forcën për të ndryshuar jetën dhe shoqërinë. Vërtet, theksoi ai, takimi me Zotin në Eukaristi e nxit njeriun të japë dëshminë e krishterë e të tregojë solidaritet ndaj nevojtarëve:

“Edhe në shoqërinë e sotme, karakterizuar nga kaq shumë egoizëm, nga spekullime të shfrenuara, nga tensione e kontraste, nga dhuna, Eukaristia na fton t’ua hapim zemrën të tjerëve, të dimë të duam, të dimë të falim; është ftesa për solidaritet e impenjim ndaj të varfërve, ndaj të vuajturve, ndaj të vegjëlve, ndaj të braktisurve. Eukaristia është dritë për të parë fytyrën e Krishtit në fytyrën e të afërmit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.