2011-09-03 16:28:17

SHBA-të përgatiten të përkujtojnë 10-vjetorin e atentateve të 11 shtatorit


Zjarrfikësit që punuan në Ground Zero, pas atentateve të 11 shtatorit, kanë 19% më shumë probabilitet për t’u sëmurë me tumor, në krahasim me kolegët e tyre, që nuk kanë qenë ato ditë në vendin ku avioni terrorist rrëzoi Kullat e famshme Binjake të Nju Jorkut. Kështu del nga një studim shkencor i botuar këto ditë, i cili dëshmon se pak ditë para 10-vjetorit të atentateve, plaga e hapur në shoqërinë amerikane, sidomos në Nju Jork, rrjedh akoma gjak. Mbi përgatitjet e përkujtimit të këtij përvjetori, na flet me telefon nga Nju Jorku, korrespondenti i gazetës italiane “La Stampa”, Paolo Mastrolili:

Në SHBA-të, që po përgatiten për të kujtuar këtë ngjarje dramatike, shumë reflektojnë pikërisht për këtë pikë: “10 vjet, në vende si Amerika, janë histori” më tha një diplomat, i cili më shpjegoi se viktimat do të kujtohen gjithmonë. Për familjarët e tyre e për personat e përfshirë drejtpërdrejt në tragjedi, plaga nuk do të mbyllet kurrë. Vendi po përqendrohet mbi mënyrën si reagoi atëherë, si u përpoq të ngrihet e të ecë përpara.
Ky vullnet për të rilindur pavarësisht nga tragjedia është tipik amerikan, apo jo?
Ky është sekreti i forcës së SHBA-ve: aftësia për t’u rinovuar vazhdimisht e për të reaguar gjithmonë, edhe në situata shumë dramatike. Një shkrimtar, Xhejms MekEneri më vuri në dukje se shumë banorë të Nju Jorkut nuk banonin akoma këtu më 11 shtator 2001. Qyteti ka ndryshuar, por Amerika shikon gjithnjë drejt së ardhmes e kjo është mënyra e saj për t’iu përgjigjur tragjedisë.
Si po përgatitet Nju Jorku dhe Amerika për përkujtimin e këtij 10-vjetori?
Paksa me shqetësimin për të kuptuar nëse ekziston akoma rreziku i përsëritjes së atentateve të tilla. Kjo është një temë që presidenti Obama do ta nënvizojë në fjalimet përkujtimore, pasi vërtet që Al Kaeda është dobësuar e Osama Bin Ladeni është vrarë, por rreziku i përsëritjes së sulmeve e kërcënimeve të tilla në territorin amerikan ekziston. E pastaj, do të shihet drejt së ardhmes, do të vazhdojë jeta, si zakonisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.