Me 3 shtator, Kisha kremton festën e Shën Gregorit të Madh, Papë
Sot me 3 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike të Shën Gregorit të Madh,
Papë e Doktor i Kishës. Ai ishte pranë nevojtarëve, sepse qe bërë një me Hyjin.
Shën Gregori romak e murg është ndër papët më të mëdhenj në historinë e Kishës. Me
largpamësi profetike, Gregori e kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga takimi
mes trashëgimisë romake dhe popujve të ashtuquajtur “barbarë”, falë forcës së lidhjes
e ngritjes së lartë morale të Krishterimit. Shën Gregori i Madh ishte i jashtëzakonshëm,
i madh në zellin apostolik e i përvujtë në shërbim të Kishës, shërbëtor i shërbëtorëve
të Hyji. Jeta e tij, që zgjati nga viti 540 deri në vitin 604, qe e jashtëzakonshme:
në moshën 30 vjeçare u bë prefekt i Romës; murg më vonë; e më pas u zgjodh papë, pa
dëshirën e vet. Ishte një papë që bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës
perandorak, me stilin kundrues e asketik të jetës oshënare. Gregori i Madh shkruante
kështu mes tjerash: “Jeta e bariut të shpirtrave duhet të jetë sintezë e drejtpeshuar
e kundrimit dhe e veprimit, e frymëzuar nga dashuria, që prek majat e larta kur përkulet
plot mëshirë mbi shqetësimet e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur para
mjerimit të tjetrit, është masa e forcës së sulmit drejt lartësisë”. (II,5) Në
ndryshim nga perandori bizantin, që mendonte se longobardët s’ishin tjetër, veçse
një turmë me njerëz të pagdhendur e grabitqarë, të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur,
Shën Gregori i shikonte me sytë e bariut të mirë, që dëshiron t’ua kumtojë dhe atyre
fjalën e shëlbimit, duke lidhur me ta, marrëdhënie vëllazërore. Njihte thellësisht
Shkrimin Shenjt, Biblën, që vijonte ta lexonte me fe e përvujtëri, e me të njëjtën
përvujtëri e fe ua shpjegonte besimtarëve: “. Shën Gregori i Madh zhvilloi një
veprimtari të dendur baritore e civile, reformoi muzikën liturgjike e cila, nga emri
i tij, u quajt këngë ‘gregoriane’. Pati në qendër të vëmendjes të varfrit. “Ishte
njeri që qe bërë një me Zotin. Kishte etje të pashuar për praninë e Hyjit, të cilin
e ndjente deri në thellësi të shpirtit. E pikërisht për këtë arsye, ishte gjithnjë
pranë njeriut, pranë të gjithë nevojtarëve të kohës së vet. Në këtë kohë tepër të
vështirë, madje të dëshpëruar, Shën Gregori i Madh diti të sjellë paqe e të japë
shpresë. Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund të gjinden burimet e vërteta të paqes,
na mëson prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj mund të themi me plot bindje se
edhe sot e kësaj dite mbetet prijës për ne”, tha Papa aktual Benedikti XVI në
audiencën e përgjithshme të 28 majit të vitit 2008. Përvujtëria intelektuale është
rregulli kryesor për atë, që kërkon të depërtojë në realitetet e mbinatyrshme, duke
u nisur nga Libri i Shenjtë, Bibla. Përvujtëria nuk e përjashton studimin serioz,
por është e domosdoshme, në se duam që ky studim të jetë shpirtërisht i frytshëm,
duke i krijuar studiuesit mundësinë të hyjë në thellësi të teksteve. Vetëm kështu
mund të dëgjohet e të perceptohet me të vërtetë zëri i Zotit. Nga ana tjetër, kur
kujtojmë Fjalën e Hyjit, duhet të kemi parasysh se nuk mjafton ta kuptosh, në se kuptimi
i saj nuk të nxit edhe të veprosh”