2011-09-03 16:27:41

Atë Federiko Lombardi: Bashkimi e Kungimi shpirtëror i të rinjve në Madrid


Akoma mbi Ditët Botërore të Rinisë, që u kremtuan në Madrid të Spanjës nga 16 deri më 21 gusht, në praninë e Papës Benedikti XVI. Në komentin e tij të sotëm, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi kujton çastin, që i bëri më shumë përshtypje, atë të Adhurimit Eukaristik gjatë Lutjes Mbrëmësore në aeroportin “Cuatro Vientos” (Katër erërat).

Ishte pikërisht era, ajo që u ngrit në një stuhi, e cila i mori Papës me vete kapelën e kuqe, ua mbylli gojën mikrofonave dhe derdhi mbi të pranishmit një rrebesh të papritur. Por të rinjtë qëndruan aty, në heshtje, në gjunjë para të Shenjtnueshmit Sakrament, së bashku me Benediktin XVI, i cili nuk deshi të ikte, megjithë këmbënguljen e bashkëpunëtorëve. Të nesërmen, gjatë meshës së paradites të së dielës, hostet e shenjta ndodheshin në tendat, që policia i kishte mbyllur për shkak të stuhisë, prandaj shumë nga të rinjtë nuk mundën të merrnin Sakramentin e Kungimit. Të dëgjojmë si e përjetoi atë Lombardi këtë çast:

“Çasti kulmor i ditëve të Madridit ishte natyrisht takimi përfundimtar në ‘Cuatro Vientos’, takim me Papën, por më shumë kremtim së bashku me Papën, në praninë e Krishtit. Ia vlen të kujtohen dy aspekte karakteristike, që do të mbeten vendimtare për reflektimin e të rinjve dhe të Kishës përsa u përket marrëdhënieve me Jezu Krishtin e pranishëm në Eukaristi.

Para së gjithash, adhurimi i mbrëmjes. Që nga Dita Botërore e Rinisë në Këln, në vitin 2005, adhurimi eukaristik ka një vend qendror në Lutjen Mbrëmësore e, heshtja absolute e qindra mijëra të rinjve në lutje e ndihmon Kishën të rizbulojë rëndësinë e adhurimit eukaristik, që ndoshta e kishim nënvleftësuar, ose harruar. Në heshtje me Jezusin: kështu mund të fillojmë ta dëgjojmë e të flasim me Të, kështu mund të ushqehet e të thellohet bashkimi me Të.

Pastaj, ‘kungimi shpirtëror”. Fakti që gjatë Meshës shumë të rinj, për shkaqe të paparashikueshme, nuk mundën të merrnin Sakramentin e Kungimit na ndihmoi të kujtojmë fjalët e çmuara të njërit nga dokumentet e fundit të Papës, që paralajmëron rrezikun e ‘një lloj automatizmi, sikur vetëm për faktin se jemi brenda në kishë gjatë liturgjisë kemi të drejtë e madje edhe detyrë të marrim pjesë në mensën eukaristike. Edhe kur nuk është e mundur të marrim Sakramentin e Kungimit, pjesëmarrja në meshën e shenjtë mbetet e nevojshme, e vlefshme, domethënëse e frytdhënëse’.

Në këto rrethana duhet ‘kultivuar dëshira për bashkimin e plotë me Krishtin’ e siç na mëson një traditë e bukur dhe e lashtë, duhet të marrim ‘Kungimin shpirtëror’ (Sacramentus caritatis, n.55). Gjatë meshës, bashkësia kishtare kremton vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit të gjallë e të pranishëm.

Marrja e Tij në zemër, përmes sakramentit, është një dhuratë e paçmuar, që na jepet falas, por edhe dëshira këmbëngulëse për t’u bashkuar me Të është burim i frytshëm kungimi. Kjo është një fjalë e rëndësishme shprese e solidariteti për të gjithë ata, që për motive të ndryshme – praktike, ose të lidhura me kushtet e jetës familjare – nuk mund të marrin sot Sakrementin e Kungimit. Është një mesazh pozitiv i jashtëzakonshëm i agjërimit të paparashikuar eukaristik të një milion të rinjve në ‘Cuatro Vientos”.







All the contents on this site are copyrighted ©.