2011-09-02 18:20:39

Presidenti Shqipërisë Topi në Serbi, Kosova faktor stabiliteti në rajon.


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi në fjalën e mbajtur në Samitin e 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Serbi deklaroi se "Kosova nuk duhej të mbetej jashtë këtij Samiti".
"Ajo është një pjesëmarrëse legjitime në veprimtari të tilla, si dhe një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Kosova, me kulturën e saj të vjetër e të re, me artin e saj modern e bashkëkohor, me zërat e saj më të artikuluar, do t`i forcojë lidhjet politiko-kulturore me popujt e tjerë në rajon dhe sidomos me fqinjët", nënvizoi Topi ndërsa shtoi se duhet vullnet i gjithanshëm, sepse pajtimi është plotësisht i mundur.
Sipas tij popujt nuk mund dhe nuk duhet të jetojnë me tensione dhe me komplekse që vijnë nga e kaluara, por në paqe e në harmoni dhe sigurisht, gjuha e artit, pluraliteti i tij janë instrumente shpirtërore të pazëvendësueshme komunikimi.
"Sot në rajonin tonë po përjetojmë një periudhë mirëkuptimi gjithnjë e më shumë të pranishme. Politika nuk mund të pengojë artin, nuk mund të pengojë institucionet, në mënyrë që të promovojë kulturën e dialogut dhe komunikimit që vjen nëpërmjet tij. Kjo është arsyeja që unë them, që paradoksalisht, ajo që ndodh në tryeza më të gjera në Evropë, ku personalitetet e Kosovës janë të pranishme, ajo duhet të ndodhë edhe këtu. Unë jam i bindur që politika e moderuar e lidershipit të rajonit do të bëjë të mundur që në tryeza të tilla të jetë e pranishme edhe Presidentja e re e Kosovës, e cila normalisht duhet të ishte e pranishme edhe sot" u shpreh Presidenti shqiptar.
Gjithashtu, ai theksoi se mesazhi që do të përcillet nëpërmjet këtij Samiti do t`i shërbejë forcimit të dialogut dhe njohjes së mëtejshme e të ndërsjellë mes popujve dhe kulturave të vendeve të rajonit.
Pasi theksoi se Ballkani historikisht ka treguar që zotëron fuqi për të jetuar në një mjedis me fizionomi të ndryshme nga të tjerët, në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë nënvizoi faktin se "arti dhe kultura janë mjete të fuqishme për të tejkaluar problemet që kanë mbajtur peng për një kohë të gjatë rajonin tonë" dhe se "ai nxit shprehi të reja, që përjashtojnë dhunën, intolerancës dhe paragjykimet."
"Trashëgimia jonë kulturore njëherazi na identifikon e na dallon nga njëri-tjetri, por edhe na bën të kuptojmë edhe sa të ngjashëm jemi", u shpreh Presidenti i Shqipërisë, duke nënvizuar se "arti modern, ashtu si trashëgimia kulturore e secilit prej vendeve tona duhet nxitur, promovuar, ruajtur dhe duhet kaluar brezave pasardhës".
Në kuadër të rëndësisë dhe nevojës së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit ballkanik, Topi theksoi se "një bashkëpunim më i madh dhe i gjithanshëm është i mundur dhe i domosdoshëm ndërmjet kulturave tona".
"Bashkëpunimet nuk janë vetëm idilike", tha Presidenti Topi, "ndonjëherë ato janë edhe të vështira, por mbi të gjitha ato duhet të jenë të vërteta. Prej tyre pritet një reflektim mbi kontradiktat e ndasitë e së kaluarës në mënyrë që ato të mos pengojnë proceset integruese", theksoi ai. (nga ATSH-ja).







All the contents on this site are copyrighted ©.